www.shkodrasport.com
Vllaznia e dyta në renditjen e fair-play sipas FSHF-së
Federata Shqiptare e Futbollit përveç renditjes së kampionatit të Superligës, ka edhe një renditje tjetër të ekipeve. Bëhet fjalë për renditjen sipas fair-play-it. Që do të thotë sipas lojës së pastër, korrekte dhe të ndershme. Nëse në renditjen me pikë në bazë të rezultateve, Vllaznia aktualisht mban vendin e tetë duke qenë shumë larg pretendimeve të saj, në renditjen sipas fair-play skuadra shkodrane mban vendin e dytë. Në të parin, është Teuta e cila është një skuadër model si në fushë ashtu edhe në sjelljen e saj dhe pas saj vjen menjëherë skuadra shkodrane. Durrsakët kanë 111.071 pikë të grumbulluara sipas kritereve të vendosura nga Federata ndërsa Vllaznia ka 106.286 pikë e pas saj vjen Tirana me 104.821 pikë, Dinamo e katërta me 102.071 e me rradhë Flamurtari, Bylis, Skënderbeu etj. Shkodranët kësisoj edhe njëherë tjetër e tregojnë veten si një nga ekipet më korrekte të kampionatit. Futbollistët e saj asnjëherë nuk janë bërë protagonistë të dhunës ndaj kundërshtarit apo gjyqtarëve dhe po ashtu edhe tifozët kanë qenë korrekt me përjashtim të ndonjë rasti të vogël. Në këtë mënyrë, skuadra kuqeblu të paktën duhet t’i vërë vetes pikësynim të kapë vendin e parë në renditjen sipas fair-play sepse arkëton në fund të sezonit shumën prej 15 milionësh lekë të vjetra që akordon FSHF-ja për ekipin fitues të kësaj renditje.