Ekipi i basketbollit të femrave të Vllaznisë e ka mbyllur kampionatin e sivjetëm në vendin e pestë. Një kampionat i mbyllur me fitore teksa vajzat shkodrane kanë fituar 83-81 ndaj Skënderbeut. Me këtë fitore, ekipi shkodran është ngjitur në kuotën e 27 pikëve, pas 7 fitoreve dhe 13 humbjeve të pësuara. Pikaverazhi është 1561-1567 dhe në këtë mënyrë është mbyllur një kapitull për të teksa do fillojë puna për sezonin e ardhshëm. Trajnerët Rajmond Rasha dhe Afërdita Rakaj mendohet se bashkë me ekipin do kenë pretendime të tjera në sezonin e ardhshëm. Në prononcimet e tyre pas ndeshjes së fundit, këto dy trajnerë janë shprehur se mbase mundësitë kanë qenë edhe këtë sezon për të hyrë në katërshen e ekipeve më të mira që do kalojnë pastaj në play- off. Nëse nuk është arritur sivjet, kjo do synohet kampionatin e ardhshëm. Rritja e përvojës së vajzave, është një argument pse kjo gjë mund të arrihet. Po ashtu mund të ketë edhe ndonjë shpresë të vogël për afrimin e ndonjë sponsori që mund të motivonte më shumë këto vajza dhe pse jo, të shikohej mundësia e përforcimit me ndonjë sportiste tjetër cilësore. Shefi i ri i klubit Mark Kroqi ka premtuar se do të bëjë maksimumin për këtë gjë megjithatë kjo duhet parë në të ardhmen se çfarë do ndodhë. Vendi i pestë i arritur në këtë kampionat nuk është keq por natyrisht që mundësitë janë për më shumë në të ardhmen.
www.shkodrasport.com