Vllaznia e futbollit të femrave ka triumfuar me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Buduçnostit në ndeshjen miqësore të luajtur pasditen e djeshme në një nga fushat sportive të Ulqinit. Skuadra malazeze është duke zhvilluar fazën përgatitore atje dhe si rrjedhojë drejtuesit e dy klubeve kishin rënë dakord për të testuar veten në këtë miqësore.
Ajo është dominuar nga vajzat kuqeblu të cilat nuk e kanë patur të vështirë të fitojnë ndaj ekipit të Buduçnostit i cili aktualisht mban vendin e dytë në renditjen e kampionatit malazez të futbollit.
Në pjesën e parë rezultati është zhbllokuar nga e zakonshmja Megi Doçi. Ajo është penguar brenda zonës së rreptësisë nga mbrojtëset malazeze dhe arbitri i takimit ka akorduar 11-metërsh të cilin e ka kthyer vetë ajo në gol. Po gjatë kësaj pjese loje, Vllaznia do të shënonte dhe një tjetër gol.
Këtë herë do të ishte futbollistja Ajdena Mustafaj autorja e tij. Në këtë mënyrë 45 minutat e para të kësaj miqësoreje u mbyllën në shifrat 2-0 më favor të Vllaznisë. Ajo do të shënonte dhe një gol të tretë në pjesën e dytë dhe përsëri me Megi Doçi.
Kësisoj i gjithë takimi miqësor në mes Vllaznisë dhe Buduçnostit është mbyllur me fitoren 3-0 të kampiones së Shqipërisë e cila edhe njëherë tjetër tregon se në Rajon mbetet ekipi më i mirë dhe këtë e ka demonstruar jo vetëm në ndeshjet miqësore por dhe ato të Kupave të Europës, ku ka arritur rezultatin më të lartë, kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve të Europës.(www.shkodrasport.com)