
Vjet mori portieren e kombëtares së Greqisë ndërsa sivjet, kampionia e Shqipërisë në futbollin e femrave- Vllaznia, ka zgjedhur të marrë portieren e kombëtares së Maqedonisë si përforcim për ndeshjet e Ligës së Kampioneve. Presidenti i këtij ekipi Lazer Matija ka bërë kësisoj realitet edhe përforcimin e pestë në prag të këtyre përballjeve shumë të rëndësishme. Ajo është Frosko Kostova. Dje ajo ka mbërritur në Shkodër dhe është bashkuar me ekipin në stërvitje duke u konsideruar kësisoj një përforcim shumë i rëndësishëm për Vllazninë ngaqë ajo kishte nevojë për një portiere cilësore. Me marrjen edhe të kësaj portiereje, skuadra tashmë është kompletuar në të gjitha repartet dhe duket më e vendosur se kurrë për arritjen e objektivit historik, kalimit të turit të parë të Ligës së Kampioneve. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë pasi përballë do ketë ekipet kampione të Turqisë, Bosnjës dhe Bjellorusisë. Megjithatë vajzat shkodrane duken të vendosura. Që prej fillimit të javës ato janë të grumbulluara ne pikën turistike të Zogajt. Paradreke, vajzat stërviten në ambjentet sportive që ofron hoteli apo dhe në pishinë ndërsa pasdite, nën drejtimin e trajnerit Nikolin Leka ato punojnë në aspektin taktik në fushën e Golemit. Një grumbullim i tillë natyrisht që ka koston e vet megjithatë presidenti Matija ka marrë përsipër këto shpenzime me qëllimin e mirë që ekipit t’i plotësohen të gjitha kushtet në prag të këtij kompeticioni të rëndësishëm.
Gjergj KOLA