Gjithkush do ta donte e do ta ëndërronte, por asnjëherë nuk do ta mendonte që një ditë në Shkodër të mund të zbrisnin emrat më elitarë të futbollit europian. E kjo gjë vjen nga mrekullia e Vllaznisë në futboll për femra në kulmin e pjesëmarrjeve në Ligën e Kampioneve për skuadrën e Nikolin Lekës.

Suksesi i shkodraneve nisi më 21 gusht, ndërsa fitoi në raundin paraeliminator ndaj Spartak Mijavës, 1-0 me golin e Shalës në të 44’. Dy ndeshje me ukrainaset e Vorskla Karkiv 2 në Shkodër dhe një hapje udhe për të shkuar në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve. 1-1 me golin e Doçit në të 54’ më 21 shtator dhe 2-1 më 28 shtator me golat e Paterson dhe Berishës e Vllaznia prek fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.

Shorti nuk u tregua bujar për vajzat shkodrane, të cilat ishin në grupin e hekurt ndaj Real Madrid, Çelsi dhe Paris Sen Zhermen. Tre emra që futbolli i meshkujve nuk i arrin dot, të paktën për mënyrën se si dhe ku luajnë klubet shqiptare, që gjithçka e nisin nga raundi paraeleminator.

Ndoshta deri përpara viteve 90 kjo ishte e arritshme, edhe sepse në Shqipëri kanë ardhur Ajaksi, Standard i Liezhit, Torino, Austria e Vjenës, Malmo, HJK Helsinki, Partizani i Beogradit, Vizmut Aue, Barcelona, Beshiktash, Olimpiakos, Goteborg, Bajern i Mynih, Olimpik Marsejë etj. Madje futbolli i djemve e ka parë vetëm në ndeshje miqësore Milanin e Real Madrid. Kurse tanimë është fakt.

Tre emra gjigandesh europian si Real Madrid, Çelsi e Paris Sen Zhermen erdhën në Shqipëri e për më tepër në Shkodër nëpërmjet Vllaznisë së futbollit të femrave. Në kryeqendrën e Veriut e mbushën stadiumin “Loro Boriçi” për këto skuadra vetëm nëpërmjet vajzave, ndërsa Megi Doçi shënoi supergolin në Madrid duke treguar që Vllaznia e femrave është një mrekulli, që do të vijojë dhe në vitet në vazhdim.

Një bazë e mirë, të paktën hë për hë, edhe për kombëtaren e Armir Grimës. Ndaj, përtej gjithçkaje, Vllaznia e femrave në grupet e Ligës së Kampioneve ishte ndër kulmet e suksesit të sportit shqiptar për vitin 2022./rtsh/