Ditën e sotme janë luajtur ndeshjet e javës së tretë të kampionatit kombëtar të futbollit për femra. Ajo që bie në sy është vazhdimi i serisë së fitoreve nga ekipi kampion në fuqi, ai i Vllaznisë. Këtë herë “viktima” e tij ka qenë Tirana AS. Në ndeshjen e luajtur në kryeqytet, vajzat kuqeblu kanë fituar me rezultatin 4-0.
Pjesa e parë është mbyllur me rezultatin 3-0 ku njërin gol e ka shënuar Megi Doçi e cila e ka festuar kësisoj me gol 21 vjetorin e lindjes së saj ndërsa dy të tjerët kanë patur për autore Suada Jasharin. Po kjo futbolliste do të shënonte edhe golin e katërt, të tretin personal, në pjesën e dytë duke mbyllur krejt ndeshjen. Në këtë mënyrë, Vllaznia femra kryeson renditjen pas javës së tretë të kampionatit me pikë të plota 9. Sakaq, me fitore e ka mbyllur këtë javë edhe “Juban Danja”. Në ndeshjen e luajtur në kompleksin “Zmijani”, ajo ka fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 ndaj Skënderbeut. Golin e vetëm të ndeshjes, atë që i dha fitoren këtij ekipi e ka shënuar sulmuesja Klaudia Rrotani. Me këtë fitore, skuadra e drejtuar nga trajneri Nikoll Gjergji është ngjitur në kuotën e 6 pikëve. Me po kaq pikë ka mbetur në renditje edhe AAS e cila në mënyrë disi të papritur, sot ka humbur me rezultatin 1-4 në Durrës ndaj Teutës. Një humbje që ka ardhur kryesisht prej gabimeve të vetë futbollisteve shkodrane.
© shkodrasport.com