Në ndeshjen e fundit Vllaznia nuk arriti ende të thyente tersin ndaj Egnatias, teksa nuk shkoi më shumë se barazimi dhe duke krijuar distancën me 5 pikë nga Tirana kryesuese.

Në Rrogozhinë pamë një skuadër që ishte e frikësuar dhe u duk e kënaqur me 1 pikë. Në fakt, Egnatia dhe Erzeni janë dy skuadrat që i janë kthyer në “mace të zeza” për skuadrën e Mirel Josës.

Gjithashtu transfertat janë pikat më e dobët e skuadrës shkodrane. Ndërsa në shtëpinë e tyre në ‘Loro Boriçi’ janë të frikshëm teksa kanë arritur të grumbullojnë më shumë pikë se çdo skuadër tjetër.

Konkretisht në 22 ndeshje të luajtura deri më tani në këtë sezon, kuqeblutë 10 prej tyre i kanë luajtur si pritës dhe kanë arritur të grumbullojnë 22 pikë. E kundërta është në ndeshjet jashtë. Vetëm 13 pikë në 12 ndeshje teksa tregojnë se në fushën e kundërshtarëve Vllaznia tregohet e pafuqishme.

Ndërsa një tjetër ngërç janë edhe oshilacionet, teksa shkodranët nuk po gjejnë dot vazhdimësinë. Sa herë që skuadra është në formën e saj më të mirë bën një hap fals me ekipe që janë edhe më të lehta në letër. Një aspekt që duhet zgjidhur për të vazhduar rrugën drejt titullit./Oversport/