Ekzistojnë disa skuadra, që në dakordësi nga të gjithë konsiderohen të mëdha. Klube që kanë fituar shumë trofe, kanë shkruar faqe të rëndësishme të historisë së sportit të një vendi.

Emra “big” që luftojnë gjithmonë për të qenë protagonistë dhe që e kanë të pamundur ta imagjinojnë makthin e rënies nga kategoria. E megjithatë, në sport, ashtu si edhe në jetë, ka drama.

Rasti më i fundit në futbollin shqiptar ishte ai i Vllaznisë, që prej vitesh e shihte veten në ujëra të turbullta dhe në edicionin që i paraprin 100 vjetorit të themelimit të klubit largohet nga elita.

Natyrisht që shkodranët nuk janë të parët dhe nuk do jenë as të fundit. Gjatë dekadës të fundit, në vendin tonë ky është një fenomen që vazhdon të përsëritet.

Ekipe të lavdishme dhe fituese, që në harkun e pak viteve janë përballur me këtë situatë.

Nga Elbasani kampion i sezonit 2005-2006, që në harkun e tre edicioneve sezoneve ra nga kategoria.

Mes problemeve financiare dhe frikës së falimentimit, për vite me radhë skuadra kthehej dhe largohej nga elita.

Më e fundit ishte në vitin 2015, kur në harkun e dy sezoneve Elbasani e pa veten të luante deri në Kategorinë e Dytë, që është niveli i tretë i futbollit shqiptar.

Sezoni që përfundoi ishte fantastik, me ekipin që u ngjit në të parën pa pësuar asnjë humbje.

Pas Elbasanit ishte radha e Partizanit, klubit që ka fituar më tepër tituj në Shqipëri. Sezoni 2008-2009 ishte dramatik për të kuqtë, që humbën finalen e “play out” ndaj Kastriotit dhe u larguan nga elita.

Nga ai moment, një rënie e lirë. Demat prekën fundin, duke zbritur në harkun e dy edicioneve në vazhdim deri në Kategorinë e Dytë.

Periudha e errët, e paregjistruar më parë në historinë e klubit kaloi në plan të dytë, pasi Partizani i mbijetoi shkrirjes dhe futbollistët luanin vullnetarisht pa u paguar.

Në vitin 2012 nisi ringritja e demave me ngjitjen e dy kategorive në dy sezone, për tu kthyer sërish si protagonistë në Kategorinë Superiore.

Pas tyre, fat të ngjashëm pati një tjetër skuadër e Tiranës. Dinamo, që në sezonin 2009-2010 fitoi titullin kampion të Shqipërisë duke dominuar, ndërsa në vitin 2012 përjetoi periudhën më të keqe në histori, duke rënë për herë të parë në Kategorinë e Parë.

Blutë luajnë aty prej edicionit 2012–2013, ndërsa gjatë kësaj periudhe kanë rrezikuar disa herë rënien në ligën e tretë.

Drama e kryeqytetaseve u kompletua nga Tirana në sezonin 2016-2017. Një kampionat i çuditshëm ai i kaluari, ku nga një pretendent për kupat e Europës, bardheblutë përjetuan rënien e parë në histori nga kategoria.

Klubi gjeti forcat për tu ringritur shpejt në elitë, pas këtij sezoni të dominuar me Ze Marian në stol.

Vllaznia është vetëm e fundit nga emrat e mëdhenj që i largohet Kategorisë Superiore. Megjithatë, nuk është fundi i botës.

Asgjë nuk përfundon dhe kjo duhet trajtuar si një pikënisje për tu ngritur dhe rikthyer më të fort.

Ishte konfirmimi më i fundit se shumëçka duhet të ndryshojë në projektin sportiv, suportin financiar dhe organizimin e klubeve të mëdha.