Vllaznia e futbollit është nxjerrë në ankand për t’u privatizuar, ose më saktë për t’u shitur. Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi në një deklaratë për mediet sa I takon procesit të privatizimit, tregoi se kjo ishte një kërkesë e Ministrisë së Sporteve.
Ademi tregon se vlera minimale është 60 milion lekë të rinj, ndërsa besohet se do të ketë interes që 100 përqind e aksioneve do të kalojnë te private. Bashkia e Shkodrës prej 2011 është pronare e vetme e klubit të futbollit.
“Para një jave ne kemi marrë nga Ministria e Arsimit dhe Sportit një letër që referon për zbatim ndryshimet ligjore të fundit të Ligjit për Sportin. U kërkohet institucioneve që administrojnë klube futbolli të kryejnë procesin e shitjes. Ka një ndryshim mes privatizimit dhe shitjes. Me ardhjen e këtij dokumentacioni ne kemi qenë të gatshëm.
Bilancet janë gati, kemi relacionin dhe projektvendimin për shitjen e klubit Vllaznia. 100 përqind sikurse ligji e thotë. Kemi pasur diskutime, por tani me daljen e ligjit është detyrim. Do ketë një ankand të hapur dhe do të donim të merrnin pjesë jo vetëm ata që janë të interesuar sot, por edhe ata që kanë investuar në të shkuarën, apo kanë reklamuar.
60 milion të reja është, por vlera më e saktë është në raport. Kuptohet që është vlera më e ulët, pastaj gjithë të tjerët mund të shprehin interesin e tyre.
Është një diskutim për t’u bërë të gjithë, përmes një pyetësori do t’u japë mundësinë të gjithëve të shprehen, për të shkuar në një rezultat. Procedura jep mundësinë që të marrin pjesë një ose disa subjekte. Duhet të bëhen bashkë përmes një kontrate. Kriteret mund të gjenden në faqen e Bashkisë Shkodër, flasim për kriteret ligjore”, tha Ademi./newsport/