Që prej pasdites së djeshme ekipi i Vllaznisë siç është bërë e ditur, është i grumbulluar në ambjentet e “Gardenland Resort”.

Kjo për ta mbajtur skuadrën nën kontroll dhe në një rregjim të fortë në prag të ndeshjes me Laçin.

Por në fakt, kuqebluutë kanë një shqetësim jo të vogël. Edhe në ambjetet ku janë të grumbulluar, janë të rrethuar nga bora por jo vetëm kaq.

Problemi kryesor për stafin teknik është stërvitja e sotme. Shkodra është e mbuluar nga bora dhe të gjitha fushat sportive janë të papërdorshme.

Në rrethana të tilla ende nuk dihet se ku do të zhvillohet stërvitja e sotme. “Në Reshit Rusi” ka rreth 20 cm borë dhe normalisht që nuk mund të bësh stërvitje aty.

E vetmja zgjidhje është që skuadra “të mbyllet” ose në ndonjë kalçeto ose në palestër sërish.

Kjo padyshim që krijon problem sepse të dielën ajo ka qenë në ndeshje në Gjirokastër, të hënën është stërvitur në palestër dhe i bie që të dalë në fushë nesër ndaj Laçit, pa e prekur fare fushën e stërvitjes.
© shkodrasport.com