Vllaznia e basketbollit të meshkujve e ka humbur edhe ndeshjen e dytë gjysmëfinale të kampionatit ndaj Besëlidhjes dhe tashmë shanset për të shkuar në finale janë gjithnjë e më të vogla, megjithatë ekzistojnë dhe duhet provuar deri në fund.
Shkodranët pritën mbrëmë në “Qazim Dervishi” lezhjanët në një sfidë shumë interesante, ku nuk mungoi edhe mbështetja e madhe tifozërisë kuqeblu. Megjithatë fillimi i ndeshjes foli për fqinjët të cilët e fituan periodën e parë me rezultatin 24-15. Një start që tregoi se Vllaznia nuk do ta kishte aspak të lehtë.
Në të dytën ndërkohë ajo reagoi dhe arriti të fitonte 22-19 duke e ngushtuar diferencën në 6 pikë, me shpresën se në dy periodat e tjera mund të kishte një rritje të lojës, por kjo zgjati vetëm pak minuta sepse Besëlidhja u tregua sërish superiore.
Ajo e dominoi periodën e tretë duke e fituar 28-17 dhe këtu u duk se mbaroi gjithçka, paçka se ishin edhe 10 minuta të tjera për t’u luajtur. Por edhe ato nuk dhuruan asgjë dhe në përfundim të takimit ishin kampionët në fuqi të vendit që triumfuan me rezultatin e përgjithshëm 92-74.
Ndeshja e tretë do të luhet të enjten më 17 prill dhe në rast fitoreje të Besëlidhjes rezultati do të shkonte në 3-0 dhe do të mbyllej gjithçka në serinë e gjysmëfinaleve, por në rast fitoreje të Vllaznisë betejat do të vazhdojnë edhe më tej.(www.shkodrasport.com)
Gjysmëfinalja 1- 10 prill
Besëlidhja- Vllaznia 78-65
Gjysmfinalja 2- 14 prill
Vllaznia- Besëlidhja 74-92
Gjysmëfinalja 3- 17 prill
Besëlidhja- Vllaznia