Pasditen e sotme në orën 16.00 është luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit ndeshja e parë gjysmëfinale e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj në mes Kamza Basket dhe Vllaznisë. Ndeshja është dominuar nga kamzalinjtë të cilët e kanë fituar atë me rezultatin e përgjithshëm 70-64. Kanë qenë basketbollistët e trajnerit Muhametaj ata që kanë udhëhequr që në fillim të takimit duke fituar periodën e parë në shifrat 21-11. Në të dytën ka patur një përmirësim të lojës së shkodranëve falë edhe udhëzimeve të trajnerit Gjeçaj dhe për rrjedhojë kjo periodë është fituar nga ata në shifrat 15-14. Kur pritej që në periodën e tretë të kishim ndonjë përpjekje të Vllaznisë për të kaluar në avantazh nuk do ndodhte kështu pasi Kamza Basket fiton 18-15. Ndonëse shkodranët fitojnë në periodën e fundit 25-17, kjo epërsi e këtij 10 minutëshi të fundit nuk ka qenë e mjaftueshme për ta fituar krejt ndeshjen. Në këtë mënyrë, Kamza Basket e ka fituar ndeshjen e parë gjysmëfinale të play off-it dhe është pretendente për kalimin në finale. Ndeshja e dytë, do të zhvillohet në Shkodër më 24 prill.

www.shkodrasport.com