Klubi i futbollit Vllaznia është i interesuar për mesfushorin kosovar Mentor Zhdrella. Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të klubit nga drejtuesit e lartë të tij. Në këtë mënyrë, edhe shkodranët futen në garë për të marrë shërbimet e këtij futbollisti ashtu si Partizani, Besa, Shkëndia e Tetovës dhe ndonjë ekip tjetër. Po ashtu konfirmohet edhe fakti se gjatë këtyre ditëve, përfaqësues të klubit kanë patur takim me futbollistin në Prishtinë dhe është lënë hapur mundësia e firmosjes së një kontrate gjatë muajit janar.
Kuqeblutë siç dihet kanë ndër mend të bëjnë përforcime dhe kryesisht ato do jenë në mbrojtje dhe mesfushë. Për këtë repartin e fundit duket se është piketuar futbollisti 25 vjeçar që aktualisht luan me Hysin në kampionatin kosovar. Ai prej disa sezonesh vlerësohet si një ndër mesfushorët më të më mirë të këtij kampionati dhe prandaj drejtuesit e Vllaznisë duan ta kenë në rradhët e tyre. Do jenë natyrisht ditët e ardhshme ato që do vendosin për këtë gjë. E rëndësishme është që drejtuesit e klubit kanë filluar të mendojnë në kohë për përforcime dhe Zhdrella mund të jetë njëri prej tyre.