Skuadrës shkodrane nuk I lejohet të humbë sot ndaj Besës. Në asnjë mënyrë. Nëse do të ndodhte, pasojat do të ishin të mëdha për të. Në këtë kontekst është përgatitur pragndeshja me kavajasit. Drejtuesit e klubit e kanë lënë të qetë skuadrën. Asnjë analizë, asnjë kritikë, asnjë masë ndëshkimore për të. E njëjta gjë edhe për trajnerin Duro. E gjitha kjo ka ndodhur sepse nuk konsiderohet si momenti I duhur për ta bërë këtë gjë. Nëse do kishte të tilla masa, gjërat mund të përkeqësoheshin tek Vllaznia e cila ndodhet para tre sfidave shumë të vështira, fillimisht me Besën dhe pastaj me Flamurtarin dhe Kastriotin. Dhe përkeqësim do të thoshte zhytje edhe më thellë në krizë, nga e cila pastaj do të jetë e vështirë për të dalë. Mbase për këtë, është lënë në qetësi skuadra. Por kjo deri sot teksa pritet me interes rezultati I ndeshjes me Besën.
Besa. Ajo është “I irrituar” nga vendimet e Komisioneve të FSHF-së. Të irrituar duken edhe drejtuesit që normalisht do “shfryjnë” diku. Më shumë sesa tek skuadra e tyre askund tjetër. Aq më tepër që ajo vjen edhe pas një humbje të thellë në Kukës 0-3 në mesjavë. Presidenti Bizhdili e ka shprehur edhe haptaz në media se pret kthesën e skuadrës së tij që në ndeshjen me Vllazninë. Në rast se ajo nuk fiton, ndaj saj do ketë masa ndëshkimore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe në kampin shkodran. Nëse kuqeblutë nuk marrin pikë (edhe barazimi vlen meqë është ndeshje në transfertë), me siguri që ndaj skuadrës do ketë ndëshkime. Këto nuk bëhen të ditura saktësisht por është e sigurtë se situata pas kësaj ndeshje, gjithnjë në rast të marrjes së një tjetër humbje, nuk do jetë aq e qetë sa pas ndeshjes me Tiranën. Nëse drejtuesit e klubit “I kanë dalë zot” trajnerit Duro gjatë gjithë kësaj periudhe, me siguri që kanë për të ndryshuar strategji. Megjithatë për momentin mendjen e kanë tek ballafaqimi I sotëm në të cilën nuk duan ta çojnë ndër mend humbjen.
Vllaznia. Skuadra I ka potencialet për të mundur Besën edhe në transfertë (pavarësisht se do luhet në fushë asnjanëse). Kontigjenti ilojtarëve për këtë ndeshje është I plotë (me përjashtim të Shtubinës) dhe nuk do ketë më justifikime se mungoi Dragoi apo ndonjë tjetër. Ajo çfarë pritet është që Vllaznia t’I imponohet në fushë kundërshtarit, I cili edhe ai po kalon një moment jo të mirë kohët e fundit. Të dy ekipet ndodhen në të njëjtën kuotë pikësh në renditje dhe me një fitore në këtë përballje direkte, do ngjiten lart në renditje. Ajo që do humbasë, do ketë probleme. Në Shkodër nuk e mendojnë humbjen dhe për këtë skuadra vetë kërkon të reflektojë duke I lënë pas dy humbjet e fundit në kampionat dhe eliminimin në kupë. Se sa do mundet ta bëjë këtë gjë, kjo mbetet për t’u parë. Mund të jetë edhe një duel pankinash teksa Duro që thotë se e ka skuadrën e tij plotësisht nën kontroll, do të kërkojë të sfidojë kolegun e tij Daja në kampin tjetër. Por më shumë do jetë duel futbollistësh në fushë. Kush do të tregojë më shumë dëshirë dhe grintë natyrisht ka për të fituar. Në Shkodër mendojnë se futbollistët e Vllaznisë kanë se çfarë të tregojnë në këtë ndeshje prandaj dhe presin kthesën e tyre.
Gjergj KOLA