Edmond Doçi është një nga lojtarët që ka fituar titullin e fundit kampion me Vllazninë në vitin 2001. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” ishmbrojtësi është shprehur optimist për Vllazninë e këtij sezoni. Ai ka folur për situatën në skuadër, për nisjen e mirë në kampionat dhe Kupë, si dhe shpreh besimin e tij se ky mund të jetë një vit i suksesshëm për shkodranët.
Doçi, si e keni shikuar Vllazninë në këtë fillim sezoni?
Për Vllazninë mund të flitet me fjalë pozitive. Këtë vit po luan krejt ndryshe nga herët e tjera. Është një ekip që luan lart, krijon presing, krijon raste. Edhe vitet e tjera kemi luajtur me ekipe të dobëta, por kemi pasur shumë vështirësi me gjetë golin.
Ishte Kukësi mirë apo nuk ishte Vllaznia ku duhet në takimin e fundit?
Mund të them se goli i shënuar shumë shpejt, por edhe ecuria e javëve të para ndikoi shumë në skuadër. Futbollistët sikur e morën pak lehtë këtë takim. Mendoj se Vllaznia neglizhoi në golat e pësuar dhe kjo i dha moral Kukësit. Më pas, edhe Kukësi mori më shumë moral pas golave të shënuar.
Mendoni se tekniku Brdariç gaboi me rreshtimin me tre mbrojtës në një përballje si ajo me e Kukësin?
Ajo që duhet thënë është se trajneri dhe i gjithë stafi e kanë ndryshuar frymën në ekip dhe kanë bërë që Vllaznia të luajë krejt ndryshe. Kjo është punë vetëm e trajnerit dhe stafit të tij, por ndërrimi i parë duhet të bëhej më shpejt, zëvendësimi i Dungës. Ndërsa ndryshimi i Jonuzit nuk duhet të ishte bërë në ato momente. Megjithatë, këto janë gjëra të vogla, por ajo që duhet thënë është se gjithçka po funksionon ndryshe te skuadra shkodrane.
Të gjithë bashkë, mund të japin një garanci për Vllazninë pretendente?
Është pozitive ardhja e sponsorit, pasi i ka dhënë pak zemër ekipit. Skuadrat nuk kanë diferenca të mëdha. Është një gjë e favorshme që Vllaznia ka marrë pikët e duhura në javët e para. Të them të drejtën, ka kohë që Vllaznia s’e ka nisur kështu.
Madje, edhe në vitin 2001 kur jemi shpallur kampion për të fundit herë, s’e kemi nisur kështu. E kemi filluar me një barazim dhe kemi startuar jo mirë, por shpresoj që këtë vit të vijojë kështu dhe të shkojë në Kupat e Europës. Kështu ajo do të krijojë opinionin për të ardhmen. Shpresoj që të ecet me këta hapa.
Si e shikoni procesin e privatizimit?
Hapat e parë janë ndërmarrë. Shpresoj që ta zgjidhin shpejt këtë çështje. Inshalla nuk ndikojnë procedurat tek ekipi. Më vjen mirë që sa më shumë njerëz të vijnë te Vllaznia, aq më mirë do të jetë. Shpresoj që ta marrin një ose më shumë persona dhe që ta duan.
Si pjesë e trajnerëve të akademisë, duket se ata si përherë janë në rrugën e duhur?
Akademia Vllaznia nisjet i ka gjithmonë të mira dhe ka elementët e duhur. Ne do t’i mësojmë ata fëmijë për të ardhmen dhe jo për rezultate, kjo është puna që ne po bëjmë. Pastaj edhe rezultatet na ngrohin.