
Kuqeblutë tregojnë sërish karakter, dinjitet dhe tregojnë forcën e tyre përsëri. Këtë herë ndaj Partizanit sërish, me të cilin vazhdon seria e rezultateve pozitive. Në “Loro Boriçi” pasditen e sotme, Vllaznia ka barazuar 1-1 ndaj të kuqve, madje ajo ka qenë shumë pranë fitores. Takimi ka patur brenda shumë emocione. Ka nisur mirë për vendasit të cilët ndonëse me pesë mungesa në formacion, janë shfaqur shumë dinjitozë në fushën e lojës. Me anë të Çinarit në dy-tre momente, por edhe me Shtubinën, ata janë munduar të rrezikojnë portën e miqve por rastet më të pastra në fakt i kanë të kuqtë të cilët me anë të Ekuban dy herë kanë qenë shumë pranë golit.Pjesa e parë mbyllet në barazim 0-0. E dyta nis me të njëjtën mënyrë loje. Vllaznia luan me shumë kujdes dhe në minutën e 69-të është shumë pranë golit. Hebaj shfaqet i lirë në zonë, gjuan në drejtim të portës dhe topi përplaset dy herë në traversë dhe rikthehet në fushë. Shkodranët kërkojnë gol por gjyqtarët vazhdojnë lojën. Megjithatë vetëm 7 minuta më vonë, është sërish ky futbollist që do të shënonte. Pas një goditje dënimi të ekzekutuar nga Kalaja, 18 vjeçari kërcen saktë me kokë dhe topi përfundon në rrjetë. Entuziasëm në stadium. Por ai zgjat vetëm 4 minuta. Në ’80 Çinari gabon në largimin e një topi dhe nga kjo përfiton Ekuban që gjuan fort tokazi dhe ai përfundon në rrjetë. Barazim 1-1 dhe Partizani kërkon edhe golin e avantazhit por Vllaznia nuk heq dorë nga objektivi për të tentuar deri në fund një tjetër gol megjithatë asnjëra nuk shënon. Përfundimisht barazim dhe skuadrat ndajnë nga një pikë megjithatë shkodranët janë ata që i gëzohen asaj. Jo më kot, ka edhe shumë duartrokitje nga tifozët kuqeblu të pranishëm në shkallët e stadiumit. Me këtë pikë, kuqeblutë ngjiten në vendin e katërt në renditje, pozicionimi më i mirë për ta në këto gjashtë vitet e fundit megjithatë trajneri Cungu dhe stafi i tij kanë besim se mund ta çojnë deri në fund këtë ecuri shumë të mirë.
© shkodrasport.com