Me përfundimin e ndeshjeve të sotme të javës së 13-të është përcaktuar edhe renditja përfundimtare e fazës së parë të kampionatit. Ajo çfarë konstatohet lehtë është që pozicionimi i Vllaznisë nuk është aty ku duhet. Ajo e ka mbyllur këtë fazë në vendin e tetë në renditje me vetëm 17 pikë të grumbulluara që do të thotë se ajo nuk ka arritur të marrë as gjysmën e pikëve të mundshme të kësaj faze. Me 4 fitore, 5 barazime dhe 4 humbje, ecuria e saj ka patur shumë oshilacione. Ka shënuar 15 gola dhe ka pësuar 14.

Edhe në treguesin e golave, skuadra nuk është aty ku duhet teksa ka shënuar diçka më tepër se një gol për ndeshje por çka është më e keqja, ka pësuar po aq, pra diçka më shumë se një gol për çdo 90 minuta. Vetë renditja flet qartë. Skuadra deri në javën ne nëntë mbante vendin e dytë dhe drejtuesit krenoheshin me këtë pozicionim por frika ishte në pesë ndeshjet e fundit, që ishin dhe prova e vërtetë për të. Në këto pesë ndeshje, Vllaznia ka marrë vetëm dy pikë nga barazimet me Flamurtarin dhe Besën. Shumë pak dhe për rrjedhojë, skuadra sot është në vendin e tetë në renditje. Ajo ndodhet 5 pikë larg skuadrës së vendit të tretë, Tiranës, e fundit që kap Europën dhe çdo gjë është e arritshme por kalendari praktikisht nuk u jep të drejtë kuqeblu. Në 13 ndeshjet e fazës së dytë, ato do luajnë 7 ndeshje në transfertë dhe 6 në Shkodër. Nga ato të transfertës, do luajë edhe me Skënderbeun, Tiranën, Flamurtarin e Laçin, që mund të konsiderohen rivalet direkte të saj. Gjërat kësisoj duken të pamundura por nga ana tjetër duhet parë me kujdes edhe poshtë sepse vendi i 11-të që të çon në kategorinë e parë, është po 5 pikë larg.
www.shkodrasport.com