Nga Endri ÇINARI
U mendua se Vllaznia do e mbyllet vitin 2024 ditën e sotme me një miqësore kundër Ilirisë, por nuk do ndodhë kështu. Kjo pasi miqësorja nga fushë krujasve nuk është zyrtarizuar dhe në këtë mënyrë kuqeblutë kanë zhvilluar ditën e djeshme një ndeshje brenda grupit. Duke zhvilluar kështu një test për të shikuar edhe gjendjen fizike të disa futbollistëve.
Grupi kuqeblu ka qenë më i plotësuar se në javët e fundit ditën e djeshme. Dhe mendohet se të gjithë të dëmtuarit do jenë nën dispozicionin e trajnerit Brdariç në ndeshjen e parë të vitit 2025. Ku shkodranët do kthehen në fushën e lojës ditën e premte në datën 10 janar kundër Tiranës.
Me duelin e “klasikes” që do zhvillohet në Shkodër, në kuadër të javës së 20-të të Superiores. Vllaznia po ashtu ditën e sotme do i japë fund aktivitetit futbollistik për vitin 2024. 9 herë kampionët e vendit do kenë sot seancën e fundit stërvitore për këtë vit.
Dhe skuadra do qëndrojë pushim deri në datën 3 janar për të shijuar edhe festat e fundvitit. E për tu kthyer në fushën stërvitore në ditët e para të vitit 2025, ku kalendari do jetë i ngjeshur mes kampionatit dhe kupës për ekipin shkodran.