Vendimet e Komisionit të Apelit për t’i rikrhyer pikët Flamurtarit në kupë apo dhe faljen e pjesshme të fushës së Pogradecit, nuk janë pritur mirë në Shkodër. Nëse deri para këtij vendimi, kuqeblutë konsideroheshin më favoritë për kalimin në gjysmëfinale të KUpës së Shqipërisë ngaqë kishin 3 pikë më tepër se vlonjatët por tashmë këto dy skuadra janë në pozita të barabarta. Me nga 4 pikë secila, Flamurtari ndoshta është më favorit ngaqë kanë dy ndeshje për të luajtur në fushën e vet ndërsa Vllaznia vetëm një. Nga ana e klubit kuqeblu për momentin nuk ka patur asnjë reagim zyrtar duke mos dashur që të krijojnë polemika për këtë çështje. Por sigurisht që tek ata, duket qartë keqardhja për këtë vendim. Nëse drejtuesit e klubit nuk kanë folur, kanë vepruar ndryshe tifozët e shumtë të kësaj skuadre. ata në rrjete të ndryshme sociale por edhe në bisedat me to, shprehin keqardhjen e madhe për këto veprime të komisioneve të FSHF-së. Ata nuk arrijnë të kuptojnë pse komisionet e këtij institucioni veprojnë në kundërshtim të hapur me njëri-tjetrin, a thua se ato nuk kanë të njëjtat rregullore. Por përveç kthimit të tre pikëve Flamurtarit, një tjetër veprim që ka rënë ndesh me Vllaznisë është ai i faljes së pjesshme të fushës së Pogradecit dhe me shumë mundësi, ndeshja ndaj Vllaznisë që ishte menduar të luhej në fushë asnjanëse, tashmë do luhet në Pogradec. Vështirësitë për kuqeblutë tashmë shtohen edhe më shumë dhe duket se vendimet e Apelit kanë ndikuar për keq tek skuadra shkodrane. Megjithatë një mendim krejt ndryshe nga tifozët por edhe vetë drejtuesit e Vllaznisë, ka ish-futbollisti dhe ish-trajneri I saj Roland Luçi. Duke komentuar këtë çështje, ai do shprehej kështu për gazetën tonë: “Vllaznia duhet të synojë kualifikimin jo me shpresën absurde të dënimit arbitrarisht në tavolinë të konkurentëve të saj. Një kualifikim i tillë do të ishte i padenjë për një klub si Vllaznia, ndërkohë që realisht janë mundësitë e një kalimi të denjë në gjysmëfinale të kupës. Kurse përsa i përket Komisionit të Disiplinës apo dhe atij të Apelit, ata me veprimtarinë dhe vendimet e veta komiko-tragjike që po traumatizojnë futbollin shqiptar dhe ashtu të traumatizuar nga një sërë faktorësh të tjerë, janë kthyer në një faktor të humbjes së besimit pikërisht në institucionin drejtues të futbollit te i cili duhej teorikisht mbështetur ky besim”. Në këtë mënyrë, tani llogaritë e shkodranëve janë prishur edhe në kupë dhe mbase duhet menduar ashtu siç thotë Luçi. Megjithatë edhe vetë trajneri Vata pas ndeshjes së fundit me Skënderbeun deklaroi se janë për t’u luajtur dhe tre ndeshje të tjera që do të përcaktojnë gjithçka. Që do të thotë se nëse Vllaznia do kërkojë vërtetë të kalojë në gjysmëfinale të kupës, tashmë duhet ta llogarisë të marrë pikë në dy transfertat me Skënderbeun dhe Laçin sepse nëse nuk e bën këtë, atëherë asaj nuk do I vlente as fitorja në Shkodër ndaj Flamurtarit. Tashmë është momenti për të parë provën e forcës së kuqebluve. Loja gjithnjë e më shumë në rritje e tyre, do sprovohet në beteja të vërteta. Si për kupë ashtu edhe për kampionat. është momenti që “luftëtarët” e Vatës të tregojnë se çfarë janë në gjendje të bëjnë.

Gjergj KOLA