Basketbollistët e Vllaznisë e kanë nisur me fitore kampionatin e ri. Në ndeshjen e parë të tij, ata kanë mundur me rezultatin 70 me 60 ekipin rival të Kamza Basket. Ndonëse u mendua se ky sezon do shfaqte probleme për ekipin shkodran ngaqë në rradhët e tij nuk do kishte asnjë basketbollist të huaj, megjithatë sfida e parë tregoi tjetër gjë. Vllaznia vetëm në periodën e parë hasi pak probleme ndaj kundërshtarit ndërsa në tre të tjerat ka ardhur duke e rritur lojën e saj dhe në fund ka fituar me 10 pikë diferencë. Pikëshënuesit më të mirë në këtë ndeshje për ekipin shkodran kanë qenë Bekteshi me 15 pikë, Berdica me 13 pikë dhe Faslija me 12 pikë. Trajneri Bledar Gjeçaj është shfaqur shumë i kënaqur me fitoren e arritur në këtë takim, një fitore që sipas tij, do ta ndihmojë ekipin për vazhdimësinë në kampionat.Ekipi i Vllaznisë tashmë do të matet edhe me Tiranën në javët në vazhdim, një tjetër ekip pretendent ky dhe më pas do të shihet vërtetë niveli i tij dhe pretendimet që ai do të ketë në kampionatin e ri. Atmosfera në kampin kuqeblu duket e qetë pas barazimit të arritur të shtunën me Kukësin. Zhurma e javëve të para sikur ka rënë tashmë megjithatë ende nuk dihet sa do të vazhdojë kështu. Ende nuk ka asnjë lajm nëse do të ketë trajner të ri apo do të vazhdojë të drejtojë stafi aktual me drejtorin Grima në krye. E rëndësishme është që skuadra ka filluar të mendojë për sfidën e javës së ardhshme me Tërbunin e cila duhet fituar patjetër.
Gjergj KOLA