Vllaznia e Mirel Josës po merr formë. Edhe pse merkatoja nuk është mbyllur ende, për momentin skuadra ka krijuar fizionominë e saj dhe çdo ditë e më shumë fokusi është përqendruar tek sfidat europiane.
Gjithsesi, në kampin shkodran janë në pritje edhe të ndonjë futbollisti tjetër në sulm, në mënyrë që skuadra të jetë e kompletuar dhe gati për të përballuar një edicion të gjatë dhe të vështirë, duke nisur nga ndeshjet e Europës.
Reparti i mesit të fushës duket se është më i kompletuari, pasi nuk mungojnë alternativat. Megjithatë, deri në mbyllje të merkatos ka ende shumë kohë dhe në Shkodër mund të ketë edhe ndonjë afrim tjetër të fundit, i cili së pari do të shërbejë për të rritur konkurrencën.
Gjithsesi stafi teknik nuk është duke parë nga pas. Fokusin e ka përqendruar tek stërvitja dhe marrja e formës maksimale nga të gjithë futbollistët që ka në dispozicion sepse prej tyre do të dalë edhe formacioni me të cilin do të përballen me Universitatea të Krajovës më 21 korrik.
Maringlen ZHIVANI