Ka startuar pasditen e djeshme Turi i 77-të Çiklistik i Shqipërisë, një tur në të cilin sivjet marrin pjesë 12 ekipe dhe përpos ekipeve shqiptare, janë edhe një ekip profesionist italian, dy ekipet kombëtare të Maqedonisë së Veriut dhe një ekip nga Serbia.
Para startit të Turit, në Bulevardin kryesor të kryeqytetit është zhvilluar ceremonia hapëse e tij dhe më pas, çiklistët pjesmarrëse kanë marrë rrugën drejt Elbasanit fillimisht e më pas në Belsh ku dhe ka përfunduar etapa e parë. Duhet thënë se kjo etapë është shoqëruar nga një nivel i lartë, kjo edhe për shkak të formës së mirë të disa prej sportistëve pjesmarrës. Kuptohet që tre çiklistët italiane, pjesë e ekipit “Male Mantile” kanë bërë diferencën sepse kuptohet vijnë nga një nivel tjetër i këtij sporti dhe në gjysmën e etapës janë shkëputur nga grupi tjetër i çiklistëve duke mbërritur të parët në Belsh.
Në grupin e dytë kanë qenë 5 sportistë, ndër të cilët dy të huaj si dhe tre sportistë shqiptarë, ndër të cilët edhe Bruno Kola i Vllaznisë i cili ka bërë një paraqitje shumë të mirë duke mbërritur në fund në mes më të mirëve të kësaj etape. Menjëherë pas tyre, ka ardhur grupi i tretë i çiklistëve ku kanë qenë dy çiklistët e tjerë të Vllaznisë, Besmir Banushi dhe Marçelo Kola si dhe Mullai i Skënderbeut.
Një ecuri kjo që padyshim duhet vlerësuar për konkurrencën e madhe që ekziston në këtë Tur. Dhe ekipi shkodran nën drejtimin e trajnerit Leonat Kola në përfundim të kësaj etape renditet në vendin e dytë, mbajtja e të cilit do të jetë objektivi kryesor për të deri në fundin e aktivitetit.
Kuptohet që Vllaznia është shumë më mirë në renditje sesa Apolonia, Tirana dhe ekipet e tjera të Shqipërisë, ndërkohë që konkurrencën do ta ketë me ekipin e Novi Pazarit të Serbisë dhe dy ekipet kombëtare të Maqedonisë së Veriut. Etapa e dytë e Turit të 77-të Çiklistik të Shqipërisë do të jetë ajo me itinerar Elbasan- Vlorë, ndërkohë që të dielën është etapa e tretë Vlorë- Përmet ndërsa të hënën zhvillohet etapa e fundit, Përmet- Fier.