Vllaznia e nis me humbje Kupën e Federatës
Në qytetin e Durrësit ka nisur Kupa në volejboll për meshkuj “Juxhin Guza” në nder të ish-volejbollistit të Teutës që u vra nga një dorë makabre në 12 shtatorin e këtij viti. Në këtë Kupë merr pjesë edhe Vllaznia e Shkodrës bashkë Me Teutën vendase, Tiranën dhe dy ekipet kosovare Therandën, skuadra e Suharekës së dikurshme dhe Besa e Pejsë. Vllaznia ka zhvilluar ndeshjen e parë pikërisht me bregdetarët e Teutës teksa janë mundur 3-0. Në këtë përballje për herë të parë dy volejbollistët shkodranë Renato Kola e Endri Jukni që u bashkuan me durrsakët në merkaton e verës kanë luajtur përballë ish-skuadrës së tyre Vllaznisë teksa kanë arritur të fitojnë. Kjo ka qenë ndeshja e dytë për Teutën brenda ditës sepse më parë kishte luajtur edhe një tjetër takim. Shkodranët kanë qenë të pafuqishëm ndaj “djemve të detit” të cilët këtë vit janë përforcuar edhe më shumë. Seti i parë mbyllet me 8 pikë diferencë në shifrat 25-17 për Teutën. Vendasit nuk lëshojnë në lojën e tyre. Janë më të saktë dhe arrijnë të marrin edhe setin e dytë të lojës teksa e fitojnë 25-17 duke e kryesuar 2-0 ndeshjen. Me këtë avantazh teuta e ka më të lehtë në setin e tretë nga ana tjetër Vllaznia nuk ka forcën e duhur për të ndryshuar rrjedhën e lojës. Kuqeblutë e volejbollit humbin edhe setin e tretë sërish me 4 pikë diferencë 25-21 dhe krejt takimin me rezultatin 3-0. Kjo është paraqitja e parë e Vllaznisë në prag të sezonit të ri që është përcaktuar të fillojë me 15 tetor. Pas fazës përgatitore në Velipojë, seancave stërvitore në Shkodër, kupa “Juxhin Guza” shërben për ekipin që drejtohet nga trajneri Artan Kalaja edhe për të konsoliduar skuadrën dhe për të parë se cila është gjëndja e volejbollistëve para nisjes së kampionatit të rid he se çfarë duhet përmirësuar për ta filluar mbarë sezonin e ri e Vllaznia për të qenë sërish një pretendente serioze për fitimin e trofeve në vend.