
Ka nisur me zhgënjim edhe kampionati I ri për Vllazninë. Ndaj skuadrës kampione- Skënderbeut, kur pritej fitorja dhe nisja e mbarë e kampionatit, ka ndodhur e kundërta. Një humbje 1-3 ka mërzitur së tepërmi tifozët, ka vënë në dilemë drejtuesit e klubit për shpenzimet e bëra dhe po ashtu edhe trajnerin Duro nëse e ka bërë mirë merkaton dhe nëse e ka stërvitur siç duhet skuadrën. Ai që ka reflektuar I pari pas kësaj ndeshje, është pikërisht “timonieri” I saj. Shpëtimi ka deklaruar se kjo nisja më e keqe e një kampionati për të si trajner me të gjitha skuadrat që ka punuar. Sigurisht që ka gjithmonë një herë të parë. Por pse në Shkodër, pse para kaq shumë tifozëve që janë të etur për të parë një Vllazni pretendente?! Për t’I paraprirë të gjitha këtyre pse-ve, ka menduar pikërisht trajneri Duro që në emër të ekipit ka kërkuar falje. “I kërkoj falje Shkodrës dhe gjithë tifozëve të zjarrtë të Vllaznisë. Jam shumë I shqetësuar për atë që ndodhi në fushën e lojës. Publiku nuk e meritonte atë lojë që zhvilluam ne. U ndëshkuam nga raste sporadike dhe nga gabimet tona në mbrojtje, madje jemi ndëshkuar në momentet tona më të mira. Jemi skuadër e re, në formim e sipër prandaj kemi defiçitet tona. Na ndëshkoi Pejiç me aftësitë e tij po I ndihmuar edhe nga mbrojtësit tanë”-ka thënë njeriu I pankinës shkodrane. Në fakt, për atë që e ka ndjekur skuadrën gjatë gjithë periudhës së verës, paraqitja ndaj korçarëve nuk ka qenë ndonjë e papritur. Kjo sepse edhe në miqësoret që Vllaznia ka zhvilluar para kampionatit, ka shfaqur të njëjtat probleme. Lojë e mirë për disa minuta, shoqëruar me gabime të shumta dhe për më tepër, moskordimin I reparteve. Kjo gjë u shfaq edhe në ndeshjen e parë zyrtare të sezonit të ri. Në mbrojtje, Beqiri dhe Osmani në qendër dukeshin qartë se nuk kishin luajtur asnjëherë më parë me njëri- tjetrin. Për më tepër, në të dy golat e parë, kur njëri kërkonte të nxirrte pozicion jashtë loje Pejiçin, tjetri e mbante në lojë. E njëjta gjë edhe në mesfushë. Katër lojtarët e këtij reparti nuk bënë asgjë për manovrën sulmuese. Vetëm Dragoi dhe Hajdari u munduan gjatë pjesës së parë por forca e tyre me kalimin e minutave ra. Ndërkohë në sulm, kosovari Rexha, u mundua shumë t’I hapte zona Hysës por ky I fundit ende nuk është në lartësinë e duhur. Kuqeblutë duan kohë. Këtë gjë ka thënë edhe trajneri Duro I cili ka dashur të garantojë drejtuesit e klubit por edhe tifozët teksa ka deklaruar: “Ne kemi besim në vetvete se do ta kalojmë shpejt këtë situatë”. Ai e njeh më mirë se kushdo këtë Vllazni. E ka krijuar vetë bashkë me drejtorin sportiv Grima dhe nuk ka as dyshimin më të vogël në vlerat e lojtarëve që ka marrë. Për të gjitha këto, tifozët dhe drejtuesit duhet të vazhdojnë t’I besojnë sepse kthesa do të vijë shpejt. Duro e thekson këtë gjë disa herë. Natyrshëm duhet t’i besojmë. Skuadra është ndërtuar sipas shijeve të tij por do kohën e vet të marrë formën e duhur. Mbase pas 4-5 ndeshjesh do mund të gjykohet skuadra e vërtetë. Të paktën këtë thonë drejtuesit e saj.
Gjergj KOLA