E ka nisur si pretendent kampionatin e ri ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë. Ai, në ndeshjen e javës së parë të kampionatit, ka mundur me rezultatin 82-59 ekipin e Flamurtarit të Vlorës. Ndeshja është zhvilluar pasditen e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Vetëm perioda e parë e ndeshjes ka qenë e dominuar nga miqtë të cilët fituan atë 20-18 ndërsa në tre të tjerat, është Vllaznia ajo që udhëheq gjatë gjithë kohës.
Ajo ka fituar periodën e dytë me rezultatin 26-12 e pastaj edhe dy të tjerat në shifrat 20-11 dhe 18-16 duke mbyllur krejt ndeshjen kështu me rezultatin e përgjithshëm 82-59. Trajneri Bledar Gjeçaj në këtë ndeshje të parë ka aktivizuar të gjithë basketbollistët që ka federuar për kampionatin e ri dhe pikërisht Muça, Bekteshi, Hallunaj, Ndoja, Shestani, Berdica, Taraboshi, Nexhimi, Rrahishta, Xhexhaj, Bruçi dhe Huti.
www.shkodrasport.com