Vllaznisë sikur të mos i mjaftonin problemet e tjera që ka, asaj i mungon edhe fati. I ka ndodhur kështu pasditen e së shtunës në ndeshjen që ka luajtur në Tiranë ndaj bardhebluve të cilën e kanë humbur me rezultatin 0-1. Në fakt, ky takim duhej të kishte përfunduar në barazim 1-1 sepse në minutën e 93-të sulmuesi Soza krejtësisht i vetëm përballë portierit ka gjuajtur por çuditërisht topi ka kaluar ngjitur me shtyllën e majtë pingule të portës së Tiranës.
Kuqeblutë përpak sa nuk përsëritën historinë e takimit të fazës së parë në Shkodër kur ishte Tirana në atë ndeshje që barazoi në minutën e 94-të. Përballja e sotme e zhvilluar në një stadium të boshatisur nuk ka patur shumë emocione megjithatë Vllaznia u shfaq e vendosur mirë në fushë dhe për rrjedhojë ka luajtur me kujdes. Në pjesën e parë, ka pak raste për shënim dhe rrjedhimisht ajo do mbyllej pa gola. Në të dytën Tirana shton disi presionin por pa ndonjë forcë të madhe goditëse. Në minutën e 64-të Baci gabon në zoërimin e një topi duke i dhënë mundësinë Bushiç të pasojë në zonë, aty ky Taku i ardhur nga mesfusha, e dërgon topin në rrjetë. Reagimi i Vllaznisë është disi i zbehët megjithatë rasti më i mirë do ishte ai i minutës së fundit shtesë kur Soza bën më të vështirën duke e dërguar topin jashtë. Përfundimisht, një tjetër humbje për shkodranët në kampionat, e gjashtë rradhazi, që e rëndone dhe më shumë situatën e saj, aq më tepër pas fitores së sotme të Elbasanit në Durrës, çka ka bërë që tashmë edhe elbasanasit të hyjnë në lojë për të shpëtuar.
© shkodrasport.com