Anullimi i dy golave nga ana e gjyqtarit anësor Ergi Doda në bashkëpunimi me kryesorin Bardhyl Pashaj nuk mund të kalonte pa u kundërshtuar nga drejtuesit e Vllaznisë. Dhe jo vetëm për këto dy gola të anulluar, por edhe për lejimin e lojës së rëndë të futbollistëve beratas. Paraditen e nesërme, një nga drejtuesit e klubit shkodran do jetë në konferencë shtypi për të akuzuar publikisht gjyqtarët për tendencë në arbitrimet kundër Vllaznisë dhe jo vetëm në këtë ndeshjes sepse ata janë vazhdë e disa të tjerëve edhe në ndeshjet e mëparshme.
Skuadra shkodrane aktualisht po luan me futbollistë të rinj dhe nuk mund të pranojë kurrsesi që këtyre djemve t’u hahet haku. Edhe pas ndeshjes së humbur javën e kaluar ka patur vërejtje për gjykimin e po ashtu edhe para tre javësh në ndeshjen tjetër me Bylisin po në Shkodër. Për më tepër, sot ata i ka gjykuar anësori Arben Pregja që i pat gjykuar në ndeshjen e shumëpërfolur Kastrioti- Vllaznia, pas së cilës drejtuesit shkodranë lëshuan një lumë akuzash ndaj tij dhe kryesorit Albano Janku.