Trajneri Ernest Gjoka konstatoi para merkatos së dimrit se Vllaznia duhej ribërë dhe se themeli i saj është mbrojtja, që ishte realisht një repart problematik.U blenë tre lojtarë, të tre titullarë në ndeshjen me Kukësin dhe sërish skuadra kuqeblu pësoi tre gola. Katastrofë reparti i prapavijës, sidomos në krahun e majtë. Po ashtu, erdhi Sukaj për sulmin, një lojtar me shumë përvojë, por ndaj Kukësit nuk dha asgjë. Të vetmin gol e shënoi Çinari.
Duket se klubi shkodran vuan shumë në merkato dhe për këtë është gjithmonë i kritikuar. Pavarësisht se shpenzohen jo pak para, blerjet asnjëherë nuk kanë mundur të lënë shenjë te Vllaznia. Po ashtu, ndryshimet e shpeshta në verë dhe në dimër në disa role specifike në formacion, sikur e çoroditin skuadrën.
Rezultatet janë po ato dhe rreziku i rënies është gjithmonë e më evident. Natyrshëm në këtë moment lind pyetja: A ja vlen të shpnezosh në merkato për këtë skuadër? Ndoshta do të ishte më mirë të luhej me lojtarë të ekipit të të rinjve apo edhe të Vllaznisë B.
Tifozëve u është bërë gjithmonë thirrje për mbështetje dhe ata janë përgjigjur, edhe pse kanë qenë skeptikë. Kanë mbushur stadiumin, por kanë parë po atë Vllazni gjithmonë, jo për faj të tyre. /Vipsport/