Kur kanë mbetur edhe katër javë nga mbyllja e kampionatit të 82-të të Kategorisë Superiore, çështja e titullit vijon të jetë e hapur.
Gjysma e Superiores është në garë për titull, ndonëse duhet pranuar që Tirana është disi më e larguar nga kreu, që kësaj radhe mbahet i vetëm nga Teuta.
Nga e para deri te Tirana e vendit të pestë, distanca është 6 pikë. Teuta, Partizani, Laçi, Vllaznia dhe Tirana janë në garë për titull, por edhe për një biletë europiane, ku njëra i bie të mbetet në shtëpi.
Dukuria e rokada në renditje ka vijuar edhe në përfundim të javës së 32-të, ku Teuta kryeson me 59 pikë dhe ka zbritur Partizanin në vend të dytë, që barazoi së fundmi në transfertë ndaj Skënderbeut.
Ky fenomen rokadash mund të vazhdojë deri në fund, ku fatin e titullit mund ta vendosin edhe llogaritë që kanë të bëjnë me përballjet direkte mes rivalëve dhe më pas golavarazhi.
Nga pikët e marra deri tani në duelet direkte në 32 javë kampionat, rezulton që Laçi është ekipi që ka fituar më shumë, 20 pikë.
Teuta me pikën e marrë në Shkodër ka shkuar në 19 pikë të grumbulluar me katër rivalët. Tirana vijon më pas me 18 pikë, por bardheblutë në dallim nga pretendentët e tjerë kanë një diferencë gjashtëpikëshe me Teutën e vendit të parë për rikuperuar, që duket e vështirë, edhe pse kalendari i favorizon.
Laçi ka mbyllur llogaritë me Partizanin dhe është superior në duelet direkte. Durrsakët mbyllën llogaritë me Vllazninë, por gjithçka mbetet në baraspeshë mes tyre.
Nga ana tjetër, sido që të dalë derbi i së enjtes, Tirana është e humbur ndaj Partizanit me takimet direkte, pasi ka një barazim dhe dy humbje në pritje të ndeshjes së katërt.