Skuadra shkodrane në 16 ndeshjet e luajtura deri më tani në kampionat, ka pësuar plot 22 gola. Një mesatare përgjithësisht e lartë prej 1.38 golash për ndeshje, çka e tregon më së miri problemin kryesor që ajo ka patur. Por duke iu referuar statistikave, ajo çfarë konstaton është se Vllaznia 9 prej këtyre golave i ka pësuar në pjesët e para ndërsa plot 13 në të dytat. Ky është një tregues se kuqeblutë nuk kanë patur “këllqe” për të rezistuar deri në fund dhe shpesh janë ndëshkuar.

Një skuadër që nuk ka mundur të durojë dot presionin e kundërshtarit, ndoshta ka patur edhe rënie fizike dhe nga të gjithë këto faktorë, janë pësuar edhe golat. Një tjetër argument që e vërteton më së miri këtë gjë është ai se vetëm në 10 minutat e fundit, kjo skuadër ka pësuar plot 5 gola. Trajneri Gjoka duket se e di mjafft mirë këtë gjë. Po përgatitet që stërvitja e janarit të jetë e fortë për kuqeblutë në mënyrë që ata të rezistojnë si duhet ndaj kundërshtarëve dhe po ashtu, po kërkon të rregullojë mbrojtjen në mënyrë që të mos pësohen më kaq shumë gola.

© shkodrasport.com