
Java e parë e fazës së katërt të kampionatit, e ka vënë Vllazninë përballë Kukësit. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Zeqir Ymeri” të Kukësit ditën e dielë në orën 16.00 dhe kuptohet që ka një rëndësi të madhe për të dy ekipet. Vërtetë vendasit kanë më shumë arsye për ta fituar këtë ndeshje dhe për të ruajtur vendin e parë në renditje megjithatë edhe shkodranët kanë arsye për të luftuar fort për të marrë pikë në këtë ndeshje. Objektivi i vënë për zënien e vendit të katërt, sigurisht që kalon përmes Kukësit. Nëse marrin edhe një barazim, do të ishte diçka shumë e mirë dhe në kampin kuqeblu ka besim se do t’ia dalin. Trajneri Cungu do të ketë në dispozicion për këtë takim të gjithë kontigjentin e futbollistëve. Nuk do të ketë asnjë futbollist të pezulluar me kartona dhe po ashtu, edhe me dëmtime duket se nuk ka ndonjë problem. I vetmi shqetësim ka qenë ai i mesfushorit Krymi që ka patur disa probleme muskulare por duket se i ka kaluar dhe do të jetë i gatshëm për të dielën. Situata tek Vllaznia pas fitores së fundit me Tiranën duket shumë e qetë dhe pavarësisht zhurmës mediatike të krijuar në lidhje me të ardhmen e trajnerit Cungu, në fakt skuadra është e fokusuar tek takimi i rradhës. Vetë trajneri është shprehur se do të vendosë në fund të kampionatit nëse do të rinovojë apo jo me skuadrën e qytetit të tij. Gjithsesi këto gjëra duken të parëndësishme sepse janë edhe nëntë ndeshje deri në fund të kampionatit dhe prandaj pikësëpari duhet menduar për t’i bërë një mbyllje të mirë kampionatit aktual. Natyrisht duke patur edhe pak shanse për të shkuar në Kupat e Europës përmes vendit të katërt, duhet luftuar deri në fund për një gjë të tillë dhe prandaj drejtuesit e klubit ua kanë vënë detyrë futbollistëve dhe stafit teknik. Për këto arsye, ata do të tentojnë të mos kthehen pa pikë të dielën nga Kukësi.
