Me kontingjentin të plot në dispozicion dhe me besimin se mund të marrin rezultat në Vlorë.

Vllaznia është gati për transfertën e së shtunës me Flamurtarin, ku kërkohen të tjera pikë mbijetese.

Lajmi më i mirë për trajnerin Ernest Gjoka është se përveç mbrojtësit Marku, që po vazhdon fazën e rehabilitimit pas operacionit, të gjithë lojtarët e tjerë janë të gatshëm për të parën nga pesë finalet e mbetura të sezonit.

Orelesi është gati të marrë vendin e tij në formacionin titullar, me kuqeblutë që pritet të ndërtojë një mur në mbrojtje, me objektivin kryesor që të mbajnë të paprekur portën e Alen Sherrit.

Por, ndaj Flamurtarit edhe mund të guxohet për të provuar diçka më tepër. Një shtysë për të gjetur golin mund të jetë ecuria e kuqebluve në këtë sezon përballë vlonjatëve.

Barazim në fazën e parë në Shkodër, humbje në ndeshjen e kthimit, por mbi të gjitha fitorja 3-0 e regjistruar në ‘Loro Boriçi’ më 5 mars të këtij viti.

Ai sukses që riktheu optimizmin te Vllaznia u realizua pas super-paraqitjeve të Vucajt dhe Sukajt.

Do të jenë sërish ata që kanë detyrën të bëjnë diçka më tepër në Vlorë, për ta afruar skuadrën me objektivin e qëndrimit në elitë.