Nga Endri ÇINARI
Ndeshja e rradhës e Vllaznisë do jetë kundër Dinamos ditën e dielë. Takimi i vlefshëm për javën e 16-të të Superiores i gjen dy skuadrat në humore të ndryshme. Kjo pasi “nëndetësja” duket se ka gjetur formën pas uljes në stol të Mehmetit e ndërsa kuqeblutë nuk po dinë të krijojnë stabilitet.
Një duel që pritet goxha rivalizues dhe që pritet të sjellë përballje të forta në fushë. Prandaj, shkodranëve do i duhen të gjitha “armët” për t’ia dalë mbanë. Pas shumë koshësh skuadra duket e plotë përpara sfidës me dinamovitët. Ku edhe Spahija edhe Mala që kanë vuajtur dëmtime goxha të gjata janë rikthyer nën urdhërat e stafit.
E njëjta vlen edhe për Asanin, ku duket se mbrojtësi i majtë gëzon gjendje optimale. E ndërsa përsa i përket pezullimeve, Vllaznia nuk ka asnjë lojtar të dënuar nga kartonat këtë javë. Kështu që ekipi do jetë i plotë pavarësisht se nuk dihet ende nëse të rikthyerit do zbresin në fushë apo jo.
Ndeshja ndaj Dinamos do luhet ditën e dielë në orën 17:00, në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Ku Vllaznisë i kërkohet me patjetër fitorja për të mos komplikuar akoma më tepër një sezon që është plot ulje dhe ngritje.