Një ditë para ndeshjes me Korabin, ekipi i Vllaznisë ka plotësuar organikën e tij. Pas firmosjes me rumunin Ignat, brazilianin Pereira, nigerianin Eziamaka por edhe tre futbollistët joshkodranë Silvio Zogaj, Dejvi Bilali dhe Valto Zeqaj, kanë ardhur edhe firmat e të pjestarëve të tjerë të skuadrës që ka qenë edhe vjet pjesë e skuadrës.

Portieri Selimaj ka qenë i vetmi që ka patur një dilemë megjithatë edhe ai ka rënë dakord në fund për të qenë pjesë e kuqebluve edhe për një sezon.

Tashmë ka mbetur edhe kapiteni Lika për të kryer këtë proces por çdo gjë është e mbyllur edhe për të. Në këtë mënyrë, stafi teknik tashmë është më i qetë sepse të gjithë futbollistët që ka kërkuar, i ka në dispozicion.

Futbollistët janë më të qetë dhe tashmë janë të fokusuar maksimalisht tek ndeshja e parë e kampionatit, ajo që do të zhvillojnë ditën e shtunë në orën 16.00 në stadiumin “Loro Boriçi”.

Përballë Korabit të Peshkopisë, kuqeblutë e kanë për detyrë të marrin fitoren për ta nisur mbarë kampionatin. Kundërshtari duket edhe ai i motivuar për të marrë pikë në këtë ndeshje të parë, madje thuhet se kanë në dispozicion edhe shpërblim nëse e arrijnë.

Kjo gjë padyshim duhet t’i motivojë edhe më shumë futbollistët e Vllaznisë të cilët duhet të japin më të mirën e tyre për të fituar në këtë premierë të kampionatit.

Shorti ka rezervuar disa sfida të vështira pas ndeshjes me Korabin sepse ata do të udhëtojnë drejt Burrelit, e më pas do të ndeshen me dy rivalët kryesorë, Dinamon e Besëlidhjen.

E rëndësishme është që skuadra të marrë ritmin e duhur sepse nëse ndodh kjo, atëherë nuk mendohet të ketë pengesa të mëdha në rrugën drejt arritjes së objektivit.
© shkodrasport.com