“Klasikja e Shqipërisë” Tirana-Vllaznia do të rikthejë spektaklin në Superiore, pasi kjo ndeshje e dytë mes dy ekipeve mbetet një vitrinë për futbollin shqiptar. Padiskutim, kjo është sfida më e rëndësishme për të dy skuadrat dhe në të njëjtën kohë një ndeshje që mund të ndryshojë jo pak fatet e sezonit.
Vllaznia sheh arritjen e kreut pikërisht nga sfida ndaj rivalëve kryeqytetas. Një fitore e mundshme ndaj Tiranës mund të shuajë të gjitha gabimet e bëra deri më tani, teksa mund t’i japë sezonit të Vllaznisë një kthesë të fortë, duke marrë në konsideratë që vjen edhe nga një tjetër fitore ndaj Kukësit. Në të njëjtën kohë, një hap fals do të ishte disi fatal për kuqeblutë.
Megjithatë, Vllaznia vijoi me entuziasëm stërvitjen në prag të “Klasikes” së kësaj të diele me Tiranën. Fitorja përballë Kukësit në shifrat minimale 0-1 ka lënë një shije të kënaqshme në kampin kuqeblu, duke qenë se dolën me tre pikë nga ajo ndeshje. Në Shkodër mendojnë se i kanë në dorë vetë fatet e tyre këtë kampionat dhe nëse fitojnë në ndeshjet që kanë, atëherë nuk e shohin veten të varur nga kundërshtarët.
Ndërkohë, ndeshjen e rradhës, pikërisht në “Klasiken” ndaj Tiranës, pritet që trajneri Josa të bëjë disa ndryshime, ndryshe nga sfida me Kukësin. Ndoshta ndaj bardhebluve, pritet të shohim një tjetër Vllazni në fushën e lojës.
Trajneri Mirel Josa i kishte të gjithë futbollistët në dispozicion, përjashto vetëm Latifin të dëmtuar akoma, por edhe kapitenin Gurishta, Hakajn dhe Markun, që janë grumbulluar me ekipin e Kombëtares për miqësoren ndaj Katarit, por do të jenë gati për përballjen e madhe.
Për trajnerin Josa është e rëndësishme që skuadra të jetë e bashkuar në prag të një përballjeje që do të thotë shumë për vazhdimësinë e sezonit dhe për objektivat. Për këtë arsye, Josa e ndau fillimisht skuadrën në disa grupe, ku binte në sy humori i lartë dhe batutat mes futbollistëve, teksa një gjë e tillë shpresohet në maksimum që të vijojë edhe pas “Klasikes së Shqipërisë” ndaj Tiranës.
Maringlen ZHIVANI