Vllaznia e sezonit të ri ka ndryshuar tërësisht thuajse nga ajo e një sezoni më parë. Fakti që ajo “e vjetra” shpëtoi nga rënia prej Superligës vetëm në ndeshjen e play-out, ka bërë që sponsori dhe drejtuesit e klubit të mendojnë për një Vllaznia “të re”, krejt ndryshe nga ajo e mëparshmja.

Për këtë arsye, shumë prej lojtarëve të mëparshëm janë lënë të lirë, ndërkohë që janë zëvendësuar me të tjerë. Deri më tani kanë ardhur e firmosur plot 11 futbollistë por ky numër mund të shtohet edhe më shumë në ditët në vijim. Po kush janë të ardhurit:


1. Bojan Zogoviç, portier

31 vjeçari malazez është me shumë përvojë, ka luajtur në disa ekipe në vendin e tij por edhe në Serbi, Kroaci e Azerbajxhan dhe kuptohet që tek Vllaznia erdhi për të ofruar siguri tek katërkëndëshi.

2. Cassius Vinicius Coelho, mbrojtës qendre

Stafi teknik vendosi të lejonte të largohej Malota dhe dëshiroi ta zëvendësonte me një lojtar që luante më shpejt dhe ndër kandidaturat më të mundshme, “fitoi” braziliani. Shtatëlarti luan mirë edhe me këmbë dhe për rrjedhojë trajneri beson në aftësitë e tij, me idenë që do të sigurojë mbrojtjen.

3. Aleksandar Isaevski, mbrojtës i majtë

Maqedonasi ka qenë lojtari i parë i huaj që i është bashkuar kuqebluve në këtë merkato. Linja e majtë e mbrojtjes ka shfaqur probleme tek Vllaznia këto vitet e fundit dhe me të, drejtuesit mendojnë se kanë gjetur lojtarin e duhur.

4. Enes Isufi, mbrojtës qendre

Shkodrani 20 vjeçar pas eksperiencave në Superligë me Skënderbeun dhe veçanërisht me Luftëtarin, rikthehet tek Vllaznia për të bërë më të mirën e tij dhe Isufi ka ardhur jo thjesht me idenë për të qenë rezervë, por për të kërkuar më shumë nga stafi nisur edhe nga ajo që do të paraqesë në stërvitje.


5. Nertil Hoxhaj, mbrojtës i majtë

Afrimi i tij lindi si domosdoshmëri sepse në krahun e majtë të mbrojtjes ishte vetëm Isaevski dhe për rrjedhojë duhej edhe një alternativë dhe për këtë arsye, drejtuesit i besuan këtij lojtari.


6. Uheid Hoxha, mesfushor qendre

Mesfushori shkodran pas përvojës sezonin e kaluar tek Besa, rikthehet tek vllaznia ku do të ketë objektiv të rritet më shumë nga ana profesionale dhe të lërë gjurmë me aktivizimet e tij. Të dhënat për t’u bërë një lojtar i mirë i ka, tashmë duhet shumë punë për të fituar besimin e stafit teknik.

7. Demir Imeri, mesfushor-sulmues

Shqiptari i Maqedonisë së Veriut është një lojtar me të dhëna të mirë dhe konsiderohet një pikë e fortë për planet e trajnerit Brdariç. I ka dhuntitë për të qenë gjithnjë një rrezik për kundërshtarët.

8. Ardit Hoxhaj, sulmues krahu

Ka bërë një sezon të mirë me Flamurtarin dhe drejtuesit e Vllaznisë menjëherë ndërhynë duke e bërë të tyrin. Hoxhaj padyshim që duhet ta kuptojë ku ka ardhur dhe duhet të marrë më shumë përgjegjësi mbi vete sepse edhe besimi i drejtuesve është i madh për të.

9. Victor Matheus Da Silva Mantos, sulmues krahu

Braziliani me një CV të shkëlqyer teksa ka luajtur edhe në Seria A, konsiderohet një përforcim shumë i rëndësishëm për Vllazninë. Victor da Silva nuk duhet të mbesë thjesht një brazilian, por prej tij pritet të marrë për dore ekipin dhe për ta çuar drejt objektivave që kanë vënë drejtuesit.

10.Christopher Mandiangu, sulmues krahu

Gjermano- kongolezi është pritur me bujë në Shkodër, ndoshta edhe ngaqë ka qenë lojtari i kombëtareve të moshave të Gjermanisë. Por kjo nuk mjafton. Sulmuesi anësor pritet të jetë një element shumë i rëndësishëm për Vllazninë e këtij sezoni, për më tepër që edhe trajneri Brdariç beson në aftësitë e tij ngaqë e njeh mirë si lojtar.

11.Mehdi Çoba, sulmues

Shkodrani ka luajtur së fundi në Azerbajxhan dhe konsiderohet një element i perspektivës prandaj dhe drejtuesit kanë firmosur kontratë të gjatë me të. Çoba duhet të bëjë shumë punë për të fituar konkurrencën e madhe që do të krijohet në repartin e sulmit dhe të mos kënaqet vetëm me një aktivizim disa minutësh në ndonjë ndeshje.