Opinion nga GËZIM SINEMATI*
Kur Vllaznia do të fitonte ca para nga shitja e dy futbollistëve të talentuar, Vajushi dhe Sukaj, kishte nga ata që reklamonin punën e fisme të drejtuesve të klubit. Pranë stadiumit kishte festime dhe urime: bëhuni të gjithë “xhevahirë”, sepse edhe klubi do të pasurohet! Ata, të cilët thanë se largimi i dy talenteve nuk matet me parà, por me lojën që do të varfërohet, gati-gati u gjykuan si budallenj që nuk marrin vesh nga trafiku i vlerave.
Atëherë u hap nami se me paratë që u fituan nga shitjet e “bujshme” do të bëhej një Vllazni më e bukur, fituese, sa do të prishte edhe letargjinë e publikut shkodran. Mirëpo fjalët lëvizin më shpejt se topi në lojën tonë dhe harresa mbulon shpejt gafat dhe mëkatet tona. Që të thuhet pa droje se kjo është Vllaznia më e dobët e viteve të fundit, në një qytet, ku futbolli ka qenë argëtim, por dhe krenari, dëshmon se edhe morali ka ndryshuar ndjeshëm. Për dekada me radhë trajneri ka qenë njeriu më i besueshëm, një njeri që frymëzonte talentin e tyre, ndërsa në kohën e sotme, kur për çudi dhe veset konvertohen në vlera, gjuetia e trajnerit tregohet si “lufta ndaj së keqes”. Futbollisti shkodran i Liteksit, Vajushi, paska dhënë një mendim për ish-ekipin e tij: “Vllaznia e fazës së parë është ndër ekipet më dobëta të viteve të fundit”. Sulmuesi që kur ka topin te këmbët, është shumë problematik për kundërshtarin, kur flet nuk është aq konkret me “topin e fjalës”. Një ekip, që është krenuar për sensin zbavitës dhe për kurajën në provën e talenteve, nuk mund t’ia falë vetes një analizë të përgjithshme. Që kjo Vllazni nuk është vazhdimi i misionit të Vllaznisë së dikurshme, këtë nuk e thotë vetëm Vajushi, por edhe tifozi me më pak pretendime. Dhe, sikur e keqja të ishte veçse Shpëtim Duro, sikurse predikohet, le t’i falim edhe njëherë “arkitektët e padukshëm” të prapaskenës. Por cili do të jetë fati që e pret ekipin në fazën e dytë. Flitet se pas largimit të trajnerit nga kryeqyteti, stoli do t’i besohet një trajneri shkodran, me shpresën se “vetëm i zoti e di ku pikon çatia”. Është një rreth vicioz ku herë na duket si shpëtimtar trajneri jabanxhi dhe herë… trajneri vendas. Një lojë që do të vazhdojë për sa kohë që drejtuesit dhe futbollistët do të ndjehen më pak të përgjegjshëm dhe, më keq akoma, kur palët kombinojnë më shumë për fatin e trajnerit sesa për fatin e lojës.
*Marrë nga gazeta “Panorama Sport”