Vllaznia në basketboll për të rinj ka pësuar humbjen e dytë rradhazi në kampionat, këtë herë ndaj “Marsi Basket” në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi’ të Shkodrës.

Në fakt duket disi e habitshme kjo gjë sepse ky ekip pati një ecuri të shkëlqyer në javët e para të kampionatit kur arriti të fitonte njëra pas tjetrës plot 10 ndeshje rradhazi. Me një ecuri të tillë, basketbollistët e rinj shkodranë ishin në krye të renditjes, me pikë të barabarta me Kamzën.

Ndërkohë, ndeshje direkte e javës së kaluar me këtë kundërshtar, u fitua nga kamzalinjtë ndërkohë që për kuqeblutë u rregjistrua humbja e parë dhe njëkohësisht ata lëshuan vendin e parë të renditjes. Pritej që në ndeshjen e rradhës, atë që u luajt në Shkodër ndaj “Marsi Basket”, djemtë e trajnerit Hallunaj të reagonin, por në fakt ndodhi e kundërta.

Ndeshja është shoqëruar me rivalitet dhe deri në minutat e fundit ka qenë Vllaznia që ka udhëhequr rezultatin, por çuditërisht në minutat e fundit ka ardhur edhe përmbysja. Në fund ka qenë “Marsi Basket” që ka arritur ta kthejë atë në favorin e tij dhe për rrjedhojë e kanë fituar krejt takimin me rezultatin 81 me 70.

Këto dy ndeshjet e fundit, padyshim që do t’i shërbejnë stafit teknik dhe basketbollistëve shkodranë për të nxjerrë mësimet e duhura dhe për t’i korigjuar këto gabime të bëra për ndeshjet e ardhshme.

Objektivi i Vllaznisë dihet që është fitimi i titullit kampion këtë sezon, por për të arritur këtë sukses, padyshim që duhet rritur edhe më shumë niveli i lojës dhe performanca në fushën e lojës.