Vllaznia prej javësh është konfirmuar si sulmi më i mirë i këtij edicioni në Kategorinë Superiore.Balaj-malaPas 13 javësh të zhvilluara deri më tani, kuqeblutë kanë shënuar 21 gola, duke qenë në krye momentalisht si ekipi që ka shënuar më shumë. Shkodranët në këtë renditje speciale i ndjek Dinamo City me 19 gola të realizuar e ndërsa treshen e parë e mbyll Partizani me 18 rrjeta në favor.

“BAM” – Një vëzhgim i “Panorama Sport” tregon se Vllaznia pavarësisht se është ekipi që ka shënuar më shumë në kampionat deri më tani, ka një “varësi” nga dyshja BalajMala, që me një shkurtim mund të emërtohen edhe si “BAM”. Sulmuesi që është deri më tani golashënuesi më i mirë i kampionatit me 8 gola dhe mesfushori prizrenas kanë qenë vendimtar me golat e tyre në këtë ecuri pozitive të kuqebluve, që i mban mes kandidatëve kryesorë për titullin kampion.

NUMRAT – Të dy futbollistët së bashku kanë shënuar 12 gola deri më tani, pra më shumë se gjysmën e rrjetave të 9 herë kampionëve të Shqipërisë. Me Balajn, siç e theksuam që ka shënuar 8 gola dhe Malën me 4 gola, ku ish-i i Partizanit po përjeton sezonin më të mirë në karrierë për sa i përket shënimit të golave. Kur kjo dyshe nuk shënon, Vllaznia “vuan” për të gjetur pikët dhe këtë e vërtetojnë edhe ndeshjet e humbura nga kuqeblutë.

PRECEDENTËT – Në humbjen 1-0 ndaj Skënderbeut, as Mala dhe as Balaj nuk ishin në gjendje të shënonin dhe ekipi vuajti humbjen e parë sezonale. Po ashtu në humbjen 2-1 ndaj Dinamos, golin për shkodranët e shënoi Sala, rrjetë që nuk shmangu dot disfatën e Vllaznisë. Humbja e 3-të sezonale kundër Laçit në shifrat 3-1, vërtetoi edhe njëherë “varësinë” nga BalajMala. Me sulmuesin, i cili mungoi në fakt për arsye dëmtimi ndaj kurbinasve, mungesë që në fakt ra në sy për fazën sulmuese të skuadrës.

“VARËSIA” – Pra, një Vllazni, që patjetër kërkon praninë dhe golat e dy futbollistëve të saj kryesorë për të arritur te sukseset, që në rast të kundërt nuk vijnë për skuadrën e drejtuar nga Brdariç, nëse dyshja Balaj-Mala nuk gjejnë rrjetën. Duhet thënë se në javët e fundit me gola ka qenë vendimtar edhe Kevin Dodaj. Ai ka rezultuar një “armë” plus për të arritur te sukseset dhe pikët shumë të vlefshme në kampionat.