Futbolli shqiptar do t’i rikthehet normalitetit, duke lënë pas periudhën e pauzës së ndeshjeve për shkak të Botërorit “Katar 2022”. Pikërisht, ditën e sotme, Vllaznia do të luajë në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 16:30 ndaj Egnatias.
Sa i përket skuadrës kuqeblu, trajneri Mirel Josa ka vijuar përgatitjet menjëherë që pas sfidës finale të Superkupës për ndeshjen e kampionatit ndaj Egnatias. Në fakt, për shkak të reshjeve të shiut që kanë vijuar të jenë prezente në qytetin e Shkodrës, skuadra ka qenë e detyruar të stërvitet në fushën “Reshit Rusi”.
Nga ajo që është parë në seancat e fundit stërvitore, skuadra është e karikuar për të rifilluar kampionatin me rezultat pozitiv, falë edhe trajnerit Josa që është munduar t’u mbajë lart moralin futbollistëve të tij. Humbja e finales së Superkupës në minutat shtesë, tashmë është lënë pas dhe gjithçka është përqëndruar tek ndeshja e sotme ndaj Egnatias.
Kujtojmë këtu se, rrogozhinasit janë një skuadër që drejtohen nga trajneri me përvojë, Shpëtim Duro, i cili më parë ka drejtuar edhe Vllazninë, por nga ana tjetër Egnatia ka në përbërjen e saj edhe disa ish-kuqeblu, siç janë Alen Sherri, Renato Malota dhe Abdurraman Fangaj, pa harruar edhe Ndriçim Shtubinën si drejtor teknik.
Maringlen ZHIVANI