Ditën e shtunë do të nisë faza e dytë e kampionatit kombëtar të volejbollit për meshkuj dhe Vllaznia në orën 17.00 do të presë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Studentit. Me ardhjen e dy lojtarëve të huaj, tashmë skuadra padyshim që është më e fortë dhe do të synojë titullin kampion.

Një gjë të tillë e përmend në një prononcim për “Shkodra Sport” edhe trajneri Ermal Kraja i cili shprehet: “Përforcimet që kemi kërkuar kanë ardhur dhe besoj se skuadra tashmë është forcuar në ato pika ku kishim nevojë. Kuptohet që objektivi jonë është i qartë, për të fituar titullin kampion dhe do bëjmë çmos t’ia dalim.

Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë, por jemi të përgatitur për këtë gjë. Edhe pa dy lojtarët e huaj, Vllaznia në fazën e parë bëri një paraqitje shumë të mirë duke i mundur të gjithë ekipet, ndërkohë që tashmë kur gara do vijë duke u vështirësuar, duhet patjetër t’i shtrëngojmë edhe më shumë forcat për t’ia dalë”.

Në tetë ndeshjet e para të kampionatit, kuqeblutë kanë patur një ecuri të shkëlqyer duke i fituar të gjitha dhe të shtunën ndaj Studentit do të tentojnë fitoren e nëntë, në mënyrë që ecuria e tyre të vazhdojë me formulën 9×9.

Pikerisht per kete arsye, ky ekip natyrisht qe duhet mbeshtetur edhe nga tifozeria shkodrane sepse po u dhuron shume emocione me paraqitjet e mira qe ka bere gjate ketij kampionati dhe synon fitimin e titullit te dyte kampion.
© shkodrasport.com