Ka mbetur edhe një ndeshje e fazës së parë të kampionatit dhe volejbollistët e Vllaznisë duan ta mbyllin me sukses edhe atë. Të shtunën në orën 12.00 do të presin në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ekipin e Skënderbeut.

Ky i fundit, ndryshe nga sezonet e tjera, sivjet ka edhe ai pretendime dhe për këtë arsye do të vijë në Shkodër me idenë për të fituar.

E ka bërë këtë gjë edhe javën e kaluar duke mundur një tjetër ekip pretendent, Partizanin. Megjithatë kuqeblutë duken të motivuar për ta fituar edhe këtë ndeshje.

Trajneri Ermal Kraja dhe sportistët e kanë të qartë tashmë përgjegjësinë që kanë mbi supet e tyre. Mbi të gjitha morale sepse përderisa kanë mundur të gjithë ekipet e tjera, nuk ka pse të bëjë përjashtim as Skënderbeu nga kjo gjë.

Tifozët që e ndjekin këtë skuadër tashmë kanë filluar t’i ngacmojnë pjestarët e saj duke i kujtuar sukseset e deritanishme (7×7), pra shtatë fitore në shtatë ndeshje dhe normalisht që tashmë duan që këto shifra të shkojnë në 8×8.

Faza e parë e kampionatit do t’i lërë më pas vendin ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë ku edhe aty Vllaznia do të ketë synimet e veta për të triumfuar.

Sivjet shihet qartë se shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë tek ky ekip. Një seriozitet maksimal në stërvitje dhe ndeshje prandaj kanë ardhur edhe sukseset e deritanishme.
© shkodrasport.com