Opinion nga Gjergj KOLA

Realisht tek Vllaznia nuk ka asnjë lëvizje. Më saktë, më shumë bëhet zhurmë mediatike këtë periudhë për merkaton sesa ajo ekziston në të vërtetë. Kuptohet lehtësisht se nuk është një situatë shumë normale. Të gjithë drejtuesit e klubit janë në fushatë. Nga njëra anë presidenti Çela dhe trajneri Bushati të vendosur në të njëjtin kamp (LSI) dhe në krahun tjetër Gjyrezi e Grima në një kamp tjetër (PD). Në fakt këta dy të fundit nuk është se janë shumë të angazhuar në fushatë megjithëse Grima është edhe në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj force politike. Ata thjesht janë të tërhequr nga drejtimi I Vllaznisë sa I takon merkatos dhe shumë gjërave të tjera që kanë të bëjnë me funksionimin e saj për të ardhmen. Në fakt kështu ka ndodhur që nga fundi I janarit kur klubi kaloi nën administrimin e biznesmenit Agron Çela. Tashmë ai bashkë me trajnerin Bushati kanë përgjegjësinë e ndërtimit të skuadrës. Bashkia ka qenë shumë korrekte me fondin që I është dashur të akordojë për gjysmën e parë të vitit. Do ta bëjë të njëjtën gjë edhe për gjysmën e dytë. Që do të thotë se “topi tashmë është në anën e Çelës”. Ai në çdo takim që ka me qytetarët e Shkodrës në fushatë, pyetja e parë që merr nga to, është se çfarë do bëhet me Vllazninë. Kuptohet që ai vazhdon të premtojë por në fakt realisht nuk ka asnjë lëvizje. Shumëkush mendon se kjo situatë do të vazhdojë deri në fund të qershorit, kur edhe të kenë mbaruar zgjedhjet. Por në fakt, atëherë do jetë vonë për të ndërtuar një skuadër ashtu siç duhet. Në kushte të tilla mbase për një periudhë, dikush duhet të kujtohet për këtë Vllazni. Pse jo edhe kryeparlamentarja Topalli në mënyrë që deklaratat e saj për ndërtimin e pallatit të sportit apo dhe të stadiumit “Loro Boriçi” të mos mbesin vetëm premtime elektorale. Më parë se të ndërtohet stadiumi, ajo I ka mundësitë dhe lidhjet për të ndërtuar një Vllaznia kampione. Nëse e bën këtë, sigurisht që shumë vota kanë për të shkuar në anën e forcës politike që përfaqëson ajo. Megjithatë shumëkush nuk beson në këto gjëra. Prandaj dhe Vllaznia vuan aktualisht. Lojtarët titullarë të saj po largohen dhe po kërkojnë të largohen. Për këto arsye, dikush duhet të ndërhyjë. Madje, sa më shpejt që të jetë e mundur sepse…. nesër do jetë vonë.