Pavarësisht premtimeve të presidentit Agron Çela se gjërat janë në rregull, ajo që duket qartë është se Vllaznia është shumë e vonuar në merkato. Për të ndërtuar një ekip pretendent për titullin kampion siç thuhet, natyrisht që do duhen lojtarë sa më cilësorë dhe ato tek kjo skuadër aktualisht mungojnë. Pretendohet për të marrë Gilman Likën dhe Erjon Vucajn por asnjëri futbollist nuk e ka ndarë ende mendjen nëse do vishet kuqeblu apo jo. Madje, nën zë, ato vetë e kanë pranuar se Vllaznia do jetë opsioni I fundit për ta ngaqë fillimisht do kërkojnë të gjejnë një ekip për të luajtur në Europë. Aktivizimi I tyre me Skënderbeun dhe me Laçin në Kupat e Europës, do t’u japë mundësinë atyre të tregojnë veten përballë syve të menaxherëve të ndryshëm apo dhe drejtuesve të klubeve europiane apo më gjerë. Predispozicioni I tyre është për të mos luajtur më në kampionatin shqiptar dhe prandaj ndeshjet europiane do jenë një “vitrinë” e mirë për ta. Në prononcimet e tyre këta dy futbollistë kanë bërë të ditur se do t’I kthejnë përgjigje Vllaznisë në fund të korrikut. Deri atëherë dyshja Çela- Bushati duhet t’I presë ato. Por të njëjtën gjë është duke bërë edhe Tirana e Laçi, pjesë e të cilëve janë aktualisht. Janë duke I pritur edhe Skënderbeu dhe Flamurtari që duan t’I kenë në rradhët e tyre. Në kushte të tilla, situata nuk është shumë e favorshme dhe mbase në këtë mes do të vendosë vetëm një ofertë shumë tunduese e presidentit Çela. A do ta bëjë ai këtë gjë? Për këtë duhet pritur.
Të tjerët. Nëse për Likën dhe Vucajn duhet pritur deri në fund të muajit, shumë e paqartë është edhe situata për Vujadinoviç dhe Dragoin. Të dy ata kanë qenë ndër më të mirët e skuadrës në sezonin e fundit dhe me mbarimin e tij kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga Shkodra. Arsyeja ka qenë se vetë ata kanë pretenduar një ekip pretendent për titull kampion. Por nëse ky ekip mund të krijohet tek Vllaznia, një çështje për t’u sqaruar është edhe ajo e disa pagave të prapambetura që ende nuk I kanë marrë. Nuk është shumë e qartë se kush do t’I paguajë këto paga teksa topi kalon sa nga presidenti tek Bashkia dhe anasjelltas. Njëkohësisht edhe për futbollistët malazezë që u tha se kishin firmosur për kuqeblutë në fillim të këtij muaji, ka shumë dyshime. Njëri prej tyre tashmë ka firmosur në Austri me një ekip tjetër. Bëhet fjalë për mesfushorin Bozhoviç. Një tjetër- mbrojtësi Novoviç ishte pranë firmës në Moldavi dhe tashmë është në kërkim të një skuadre tjetër por jo tek Vllaznia. I treti, kapiteni I Zetës Burzanoviç është shumë pranë kalimit tek Mogren I Budvas. Në rrethana të tilla, nuk është shumë e qartë nëse këto futbollistë do vijnë në Shkodër për të luajtur apo jo. Situata e tyre duhet sqaruar sa më parë të jetë e mundur dhe mundësisht më datë 2 korrik ata duhet të jenë në stërvitje nëse do vazhdojnë kontratën e firmosur me presidentin Çela.
Pretendimet. Për të pretenduar një Vllaznia kampione sigurisht që duhen shumë lëvizje. Së pari për të mbyllur marëveshjet me portierin Vujadinoviç dhe Dragoin. Nëse kjo realizohet atëherë duhet pritur edhe pozicioni I Likës dhe Vucajt. Por edhe nëse ato vijnë, duhen të tjerë futbollistë për të plotësuar skuadrën. Së pari duhet një mbrojtës I djathtë për të mbushur boshllëkun e krijuar nga largimi I Smajlit. Së dyti, duhet një mbrojtës qendre për të siguruar prapavijën. Dhe së treti, skuadrës me çdo kusht I duhen dy sulmues shumë cilësorë sepse për momentin pjesë e saj janë vetëm futbollistët Gjini e Guri. Kjo rezyme e kuqebluve tregon se gjërat nuk janë në rrugën e duhur. Në fakt, edhe kohë për t’I mbyllur këto lëvizje shpejt e shpejt nuk ka. Stërvitja nis më 2 korrik dhe skuadra ende nuk është e plotësuar. Për më tepër, nuk dihet se saktësi se kur do ndodhë kjo gjë. Prandaj përkundër optimizmit të presidentit Çela, tashmë ka ardhur puna më shumë të lëvizet konkretisht në merkato sesa të flitet me superlativa për të ardhmen. Nuk është e lehtë të ndërtohet një Vllazni kampione sepse ajo së pari nuk e ka një pekt të tillë dhe për t’ia dhënë atë, do duhet shumë financë dhe mbështetje nga të gjitha palët.
Gjergj KOLA