Vllaznia pritet të zbresë sërish në fushë në ditët në vazhdim për miqësoren e tretë dhe të fundit. Drejtuesit shkodranë kanë kërkuar që në fillim që shkalla e vështirësisë së kundërshtarit të vijë duke u rritur, nga një i lehtë dhe për ta mbyllur me miqësoren e tretë, ku pritet të përballen me 12-korrik me një ekip të Bundesligës austriake.

Para kësaj miqësoreje të tretë, trajneri Mirel Josa ka zhvilluar edhe të tjera seanca stërvitore, duke vijuar përgatitjet për ndeshjen e parë të Conference League ndaj Universitatea Kraiovës.

Grupi i futbollistëve ka qenë i plotë. Në këtë test të tretë, pritet që trajneri Josa të bëjë sërish lëvizje në formacion, pasi ka mundësinë për t’i provuar të gjitha skemat, duke qenë se bëhet fjalë për ndeshje miqësore, kur rezultati del në plan të dytë.

Gjithsesi, ajo që është pozitive është se gjatë këtyre përgatitjeve, skuadra po stërvitet fort dhe gëzon formë të mirë. Gjatë këtyre seancave stërvitore, futbollistët kanë treguar një përkushtim për të qenë gati për ndeshjen e parë të Conference League ndaj rumunëve të Universitatea Kraiova.

Edhe gjatë ditës së sotme, ekipi ka vijuar përgatitjet me ngarkesë të lartë, ku fillimisht skuadra ka zhvilluar ushtrime të ndryshme me përgatitësin atletik, Mikhail Tzokov, por nuk është lënë pas dore as puna me topin. Skuadra do të jetë edhe për katër ditë të tjera në Pressbaum të Austrisë, ku do të zhvillojë edhe një tjetër përballje miqësore. Më 13-korrik ekipi do të largohet nga Austria, për të përmbyllur fazën përgatitore në Shkodër.
Maringlen ZHIVANI