Pas dy ditësh më në fund do startojë stërvitja për kuqeblutë. Pas gati dy muajsh pushimesh, Vllaznia do zbresë në fushë. Trajneri I emëruar për ta drejtuar atë në sezonin e ri- Shpëtim Duro, ka menduar që periudha 6 javore deri në fundin e gushtit, është mëse e mjaftueshme për të bërë gati skuadrën për sezonin e ri. Për këtë arsye, të hënën e 9 korrikut skuadra do zbresë në fushë për të zhvilluar seancën e parë. Ajo çfarë pritej ishte që gjatë kësaj jave që po mbyllet të kishim edhe disa kontrata të reja por me shumë mundësi ndonjëra prej tyre do të firmoset të hënën pikërisht para nisjes së stërvitjes. Trajneri Duro në fakt ditë më parë do deklaronte se në momentin e nisjes së stërvitjes ai do të donte të kishte 80 për qind të skuadrës gati. Deri tani në fakt janë bërë vetëm tre blerje: Deliç, Nallbani dhe Begaj. Duhet edhe një tjetër blerje për të realizuar në masën 50 për qind blerjet e kërkuara prej tij dhe mbase kjo blerje do jetë ajo e rumunit Dragoi me të cilin është mbyllur çdo gjë dhe pritet mbërritja e tij ndoshta të hënën për të firmosur dhe nisur menjëherë stërvitjen. Deri këtu çdo gjë në rregull. Katër blerjet e tjera do bëhen në ditët në vazhdim. Mbase koha do jetë e përshtatshme për ta bërë këtë gjë sepse deri në fund të korrikut kur skuadra do niset për jashtë vendit për fazën përgatitore, mund të firmosen edhe dy apo tre kontrata të tjera për ta lënë pastaj goditjen e madhe të merkatos për në fund. Këto janë planet e shkodranëve megjithatë ka edhe jo pak dilema. Në stërvitjen e së hënës mund të mungojë kapiteni Belisha. Drejtuesit e klubit në fakt kanë bërë thirrje të gjithë futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar, të jenë në stërvitjen e së hënës por me shumë siguri Belisha nuk do jetë ngaqë atij I ka përfunduar kontrata dhe ende nuk është thirrur për të rinovuar. Kjo mbase mund të kryhet këto dy ditë megjithatë është një çështje që duhet të marrë zgjidhje. Vllaznia në këtë mënyrë, me plane duket krejt afër ndërtimit të skuadrës së duhur për sezonin e ri. Mbyllja e bisedimeve me ndonjërin nga mbrojtësit Vukçeviç, Beqiri apo Osmani, do të plotësonte repartin e mbrojtjes për të mbetur pastaj tek pjesa përpara ku mund të mbyllen bisedimet me Duron, Abilaliajn, Hysën apo ndoshta ka pak shanse edhe për Balën. Në këtë situatë, duhet pritur edhe pak për të parë skuadrën e plotë. Objektivat që Vllaznia I ka vënë vetes janë vendet e para të renditjes dhe sigurimi I një bilete për në Kupat e Europës sezonin e ardhshëm. Kjo është mëse e arritshme nëse lojtarët e mësipërm mbërrijnë në Shkodër. Duke parë këto emra por edhe shumë të rinjë që janë në skuadër dhe me shumë perspektivë, çdo gjë është mëse e mundur. Vllaznia padyshim që duhet të bëjë një sezon ndryshe këtë të riun. Një sezon më të mirë nga ai I mëparshmi për të kthyer imazhin e skuadrës së duhur dhe për të mbushur sërish shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Shpëtim Duro e ka të qartë këtë gjë prandaj tashmë duhet të presim se çfarë do I dhurojë Shkodrës ai.
Gjergj KOLA