Do mjaftonin edhe dy lëvizje të rëndësishme dhe Vllaznia do bëhej… super. Ky është mendimi I të gjithëve. I trajnerit Canaj dhe stafit të tij por edhe I tifozëve. Lajmi I publikuar dje në mediat sportive për arritjen e akordit me portierin Vujadinoviç dhe mbrojtësin Rajoviç, I ka kënaqur të gjithë. Më së shumti ka kthyer besimin tek tifozëria e kësaj skuadre. Ajo pret edhe dy lëvizjet e tjera të premtuara nga drejtuesit e klubit dhe garanton mbështetjen e fuqishme në çdo ndeshje të sezonit të ri. Duke filluar nga ndeshja e parë, ajo më 31 gusht në Shkodër ndaj Flamurtarit. Kthimi I besimit
Në Shkodër dhe jo vetëm, deri ditën e shtunë ka patur jo pak dyshime për këtë Vllazni. Në fakt, ka patur dyshime edhe tek vetë trajneri Canaj, aq sa ai pas miqësores me Dinamon, shumë I pakënaqur ka lëshuar alarmin për ndërhyrje imediate në merkato. Por Brenda vetëm pak orësh gjithçka ka marrë formë tjetër. Drejtori sportiv Armir Grima, ka një meritë të jashtëzakonshme gjatë gjithë kësaj periudhe, ka arritur të bindë kryebashkiakun- president Lorenc Luka se duhet bërë diçka. Të paktën një sforco financiare. Arsyeja ishte për të marrë portierin Vujadinoviç por edhe mbrojtësin Rajoviç. Bisedimet me ta u konkretizuan ashtu siç duhet dhe të dy këta futbollistë sot do të nisin stërvitjen me ekipin. Me marrjen e këtyre dy futbollistëve, porta dhe mbrojtja duken “të blinduara”. Mes katërkëndëshit, Vujadinoviç ofron shumë siguri ashtu si në tre sezonet e fundit që ka luajtur për Vllazninë. Përveç tij është edhe Selimaj, I cili ka dëshirë të tregojë vlerat e tij sa herë që t’ I jepet rasti. Në mbrojtje alternativat nuk do jenë të pakta. Për krahun e djathtë mund të luajnë Rexha ose Semina, ndoshta edhe Gocaj nëse është e domosdoshme. Në të majtë, dueli do jetë mes Seminës dhe Bacit por mund të aktivizohet edhe Belisha pasi të hedhë firmë edhe ai në kontratë. Në qendër të mbrojtjes janë të gatshëm Rajoviç, Sykaj, Beqiri, Kraja, Semina dhe Rexha. Trajneri është I qetë të vendosë edhe në rast mungesash sepse në dispozicion ka disa futbollistë që mund të luajnë në dy –tre pozicione. Në mesfushë duhet një lider në qendër të saj e prandaj sytë janë përqendruar në merkato. Ashtu si dhe një sulmues cilësor. Nëse vijnë edhe këta dy futbollistë, atëherë çdo gjë do ishte në rregull.
Merkatoja e hapur
Gjetja edhe e një mesfushori dhe e një sulmuesi cilësor, është shndërruar në objektivin kryesor të merkatos së kuqebluve. Për sulmuesin puna është përqendruar kryesisht në Mal të Zi dhe objektivi kryesor është lojtari I Mlladost Bozho Markoviç. Ende nuk dihet nëse kjo lëvizje mund të kryhet megjithatë po tentohet. Në mungesë të tij do shihet ndonjë opsion tjetër. Ashtu si dhe për mesfushën. Prandaj, deri më 31 gusht që është afati I fundit I merkatos së verës, duhet pritur. Tifozët tashmë janë entuziastë dhe kjo gjë duhet të vazhdojë. Një nisje e mbarë e kampionatit do të thoshte shumë për Vllazninë. E rëndësishme është se tashmë tek kjo skuadër ka besim. Jo më për të qenë apo jo një skuadër e rrezikuar për rënien nga kategoria, por për të qenë në mes ekipeve më të mira të kampionatit. Kjo duket e sigurtë.
Gjergj KOLA

Ditën e sotme të tjerë lojtarë në provë tek kuqeblutë
Burime pranë klubit shkodran bëjnë të ditur se ditën e sotme të pranishëm në stërvitjen e Vllaznisë do të jenë edhe dy futbollistë të tjerë që do vijnë në provë. Bëhet fjalë për dy sulmues të kampionatit shqiptar të cilët kanë luajtur me ekipe shumë të njohura por stafi kuqeblu ka besim se mund të jenë alternativa për këtë repart duke parë mungesën e sulmuesve cilësorë. Nuk bëhen të ditur emrat e futbollistëve që do vijnë për provë por e rëndësishme është se nga dita e sotme ata do të jenë në testim.