Opinion nga Gjergj KOLA

Dikush e ka frikë Vllazninë. Ka qenë kështu në fakt gjithmonë. Sa herë që ajo kthehej në formën e saj më të mirë, ndodhte diçka që do t’i prishte punë asaj. Ndodhi edhe këtë herë. Kur të gjithë e panë që Vllaznia po rikthehej, “i futën shkopinjë ndër rrota”. Ka ndodhur pikërisht sot në Krujë teksa “shkopi” që iu fut në rrotë kësaj skuadre, ishte pikërisht gjyqtari Kridens Meta. Mjafton të shohësh pamjet filmike të ndeshjes dhe do ta vërtetosh këtë. Në një stadium pa spektatorë si ai i Krujës ku u luajt ndeshja, pa ndonjë presion në pamje të parë, Meta e prishi ndeshjes. Akordimi i 11-metërshit në favor të Laçit ka qenë shumë i dyshimtë, për të mos thënë skandaloz. Rrallë kemi parë të jepet penallti kur topi nga goditja e dënimit, prek në mur (ndoshta edhe dorën e ndonjërit prej lojtarëve) dhe të tregohet pika e bardhë. Por në rastin e sotëm, dyshimi i madh ishte që lojtarit e murit kanë qenë jo mbi vijën e zonës por jashtë saj. Protesta e futbollistëve shkodranë nuk zuri vend sepse kryesori e kishte ndarë mendjen për të dhënë 11-metërsh. Aspak dinjitoze. Meta vërtetë mund ta ketë gjykuar ashtu dhe nëse nuk do ta tepronte më pas, mund të kishte dalë edhe “i pafajshëm” sepse rast sporadik ishte. Por ai nuk bëri të njëjtin veprim në pjesën e dytë kur Jabllan i ikën mbulimit të mbrojtësve laçianë por pengohet dukshëm në mënyrë të parregullt brenda zonës prej tyre dhe gjyqtari këtë herë nuk jep 11-metërsh. Barazia kësisoj nuk ekziston në arbitrim. Administratori i klubit Vllaznia ka protestuar fuqishëm tek ata por pa rezultat. Kridens Meta e kishte ndarë mendjen mesa duket. Shkodranët do ta pësonin prej tij. Pamjet filmike na kanë shfaqur trajnerin Rudi Vata të irrituar në fund të ndeshjes, teksa debaton, bën me gjeste ndaj gjyqtarëve dhe duket qartë se është “i tërbuar” me ta. Rezultati gjithsesi nuk ka ndryshuar. Vllaznia ka humbur 1-0 dhe i ka komplikuar pozitat e saj në kupë. Asaj i duhet një fitore 2-0 ndaj Flamurtarit për të qenë në gjysmëfinale. Ndodh kështu kur gjërat u menduan krejt ndryshe. Katër rezultatet pozitive në ndeshjet e fundit, filluan ta bëjnë këtë skuadër pretendente për të qenë në katërshen e ekipeve më të mira të kampionatit dhe po ashtu edhe pretendente në kupë. Shkëndija e parë se nuk do ta lënë të qetë, erdhi në Krujë. Në vazhdim mund të ketë edhe të tjera. Prandaj shkodranët duhet të jenë të përgatitur për këto “shkopinj ndër rrota”. Ashtu si gjithmonë. Por unë personalisht mendoj se ngjarjet e sotme në ndeshjen ndaj Laçit, do ta bëjnë Vllazninë edhe më të fortë dhe më agresive për rezultat në ndeshjet e ardhshme.