Opinion nga Tonin FRROKU
Vllaznia 11 vite pa titull kampion. Shumë keq për një skuader kaq të njohur. Në këto 11 vite para çdo pragsezoni është folur për titull kampion. Për Kupa. Për trajner. Për merkato. Për… Përfundimi? Në këto 11 vite vetëm një Kupë Shqipërie. Shumë pak për një skuadër si Vllaznia. Edhe në pragun e sezonit të ri flitet për titull. Për trajner. Për merkato. Për…. Ah, po është folur për largime lojtarësh shkodranë. Edhe në kushte kur mbi 20 prej tyre jane vërtetë të talentuar. Ashtu siç nuk është thënë asgjë për rikthim futbollistësh shkodranë në shtëpinë e tyre. E gjithë kjo dihet përse. Ashtu siç dihet se edhe këtë sezon vështirë shkodranët të jenë afër titullit.
Megjithatë, ajo çfarë më ka bërë të them diçka për Vllazninë në pragun e këtij kampionati jane dy gjëra. Largimet e futbollistëve të rinj. Të cilët janë vërtetë të talentuar. Lojtarë të cilët në mos janë të gatshëm ta nxjerrin Vllazninë kampion këtë sezon të paktën janë në gjendje të bëjnë shumë herë më tepër se çdo futbollist që vjen nga skuadrat e tjera në këtë ekip. Qoftë dhe për atë se Vllazninë e duan shumë herë ma fort se çdo futbollist tjetër. Arsyeja e dytë ka të bëjë me mos rikthimin e lojtarëve të cilët luajnë me ekipe të tjera. Futbollistë të cilët në mos janë në gjendje me e nxjerrë Vllazninë kampion, jam i bindur se në Kupat europiane e kalojnë pa fije zori.
Se, fundja të fillojë merkatoja e Vllaznise me një lojtar që një kampionat më parë ka luajtur me një ekip të larguar nga Superiorja sigurisht që nuk jena tuj ba asgja ma shumë se atë që kena ba ma e pakta në këto 11 vite. Përfundimi. Gjë që dihet tashmë. Për ta mbyllur. Unë bëj pjesë në atë kategori tifozësh shkodranë që beson vetëm tek futbollistët e qytetit tim. Vetëm për atë se ata dinë ta luajnë këtë lojë shumë herë ma mirë se të gjithë të tjerët në këtë vend. Sigurisht dhe për atë se Vllaznia U-17, por dhe Vllaznia U-19 nuk janë rastësisht për vite me rradhë kampione. Këta skuadra jane kampione se me këta lojtare punojnë si trajner të tillë që këtë zanat e bëjnë me dëshirën ma të madhe. Ashtu siç kanë qenë model dikur edhe si lojtarë.