Dita e dytë e stërvitjes për ekipin e Vllaznisë nuk ka sjellë asnjë të re sa I takon kontigjentit të lojtarëve. Ka qenë e njëjta përbërje si një ditë më parë teksa nuk ka qenë present asnjë futbollist tjetër I ri. I vetmi ndryshim ka qenë ai se në drejtimin e skuadrës këtë herë nuk ka qenë trajneri I U-19 Premçi por ka zbritur në fushë vetë drejtori sportiv Grima për të drejtuar seancën e rradhës të kuqebluve sëbashku me trajnerin e portierëve Legata. Të 27 futbollistët e dalë në stërvitje një ditë më parë, kanë qenë edhe dje teksa kanë filluar të normalizohen tashmë me ritmet dhe ngarkesat fizike sepse periudha dymujore e pushimit sigurisht që nuk ka qenë shumë pozitive për ta. Megjithatë interesi I tifozëve por edhe shumë të tjerëve ka qenë për ardhjen e emrave të rinj në stërvitje. Ky interesim në fakt nuk ka patur asnjë gjë positive sepse për momentin nuk ka asnjë lëvizje.


4 titullarët. Për Amarildo Belishën, Ervis Krajën, Alsid Tafilin dhe Ndriçim Shtubinën nuk ka asnjë zhvillim të ri. Pritej që ndonjëri prej tyre të mbyllte kontratën e re me klubin Vllaznia dhe të ishte në stërvitje ditën e djeshme por nuk ka ndodhur kështu. Nga zyrat e klubit nuk ka informacion nëse ka patur bisedime apo jo për kushtet e kontratave të reja. Po ashtu edhe vetë futbollistët nuk kanë preferuar të prononcohen. Duket një situatë disi e pakuptimtë megjithatë kjo shtyrje e bisedimeve me shumë mundësi ka ardhur ngaqë çdo gjë I është lënë në dorë trajnerit të ri që do vijë. Do jetë ai që do vendosë nëse këta 4 futbollistë do jenë në planet e tij apo jo. Pasi të vendosë ai, atëherë do jetë detyra e drejtuesve të klubit për t’I bindur për të pranuar kushtet e kontratave që ata kanë vënë për sezonin e ri. Në fakt, merret vesh se me Shtubinën janë zhvilluar disa bisedime dhe ende nuk është arritur akordi financiar sepse lojtari pretendon më shumë nga sa I ka ofruar klubi. E njëjta situatë bisedimesh mund të konsiderohet edhe ajo me Tafilin pasi edhe ky mesfushor mund të jetë pjesë e skuadrës sërish sapo të gjendet akordi. Nuk mund të thuhet kjo gjë për Belishën dhe Krajën. Dy lojtarët duket se nuk preferon më nga klubi dhe për rrjedhojë me to nuk ka patur asnjë bisedë deri më tani. Gjasat janë që ata të mos jenë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri.
Rikthimet. Një ditë më parë drejtori sportiv Armir Grima në një prononcim të tij kishte bërë të ditur se bisedimet me disa prej futbollistëve shkodranë që luajnë me ekipet e tjera vazhdojnë. Në fakt, mosprania e asnjërit prej tyre në stërvitjen e djeshme, tregon se akordi përfundimtar ende nuk është arritur. Olsi Gocaj, Arsen Sykaj, Klodian Semina dhe Ansi Nika kanë qenë në planet e Vllaznisë për rikthimin e tyre në Shkodër. Fakti që janë produkt I këtij klubi, ua bën atyre më të lehtë përshtatjen dhe përveç kësaj janë futbollistë që mund të konsideroheshin lider në skuadrën e sezonit të ri. Megjithatë edhe me ta bisedimet duket se kanë ngecur diku. Ndoshta edhe fati I tyre varet nga ai I trajnerit të ri megjithatë diçka duhet të lëvizë. Ndoshta që sot. Vllaznia ka nevojë për lojtarë, madje më shumë se për çdo gjë tjetër, për disa me eksperiencë në kampionatin shqiptar. Nëse nuk do jenë këto lojtarë pjesë e ekipit atëherë gjërat do të vështirësohen. Dy prej tyre ka shumë gjasa që të firmosin shpejt për kuqeblutë, pikërisht Gocaj dhe Sykaj. Dy futbollistët që kanë qenë pjesë e Kastriotit sezonin e kaluar, kanë dëshirë që të kthehen në Shkodër megjithatë derisa të hidhen firmat në kontrata asgjë s’mund të konsiderohet e përfunduar.
Gjergj KOLA